Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar hetimet e SPAK dhe ka kaluar sërish për rigjykim çështjen për Edlira Naqellarin dhe 7 ish-zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Brendshme, të akuzuar për korrupsion në tenderin e uniformave të policisë.

Seanca e gjykimit do të mbahet në datën 26 nëntor ora 12.

Ish drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara Edlira Naqellari dhe bashkëpunëtorët e saj anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj u lanë në burg nga Apeli i GJKKO, si dhe u caktua ‘arrest shtëpie’ për Anisa Bogdanin. Ata akuzohen për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.

Kujtojmë se SPAK mësyu në Ministrinë e Brendshme më 10 korrik, ku u arrestuan ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari bashkë me ish-zyrtarët e tjerë.

Këto arrestime u bënë në lidhje me tenderin abuziv të 11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.

SPAK përgjoi dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë zbërthyer skemën e abuzimit me tenderin.

Ky tender është refuzuar të firmoset nga një anëtar i Komisionit dhe një anëtar i prokurimeve.

Procedurat e tenderimit nisën që në 2019-ën dhe sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.

Fituesi i tenderin me vlerë 2.8 miliardë lekë, që ishte bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare “D&E shpk” dhe 3 kompanive të huaja “Summer Conf s.r.l”, kompania “Lovers s.r.l” dhe kompania YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. kishte mangësi në plotësimin e dokumentacionit, dhe se janë skualifikuar kompani që kanë ofruar çmime më konkurruese.