Tirana, kampione në fuqi e Superiores dhe Vllaznia, e cila kryeson kampionatin, ndan nga një pikë në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 12 të kampionatit.

Në “Selman Stërmasi”, bardheblutë realizuan të parët me Muçin, nga i cili u nisën edhe disa raste të tjera, por pa u shfrytëzuar si duhet.

Në minutën e 75-të, Tirana mbeti me një lojtar më pak, pas largimit të Torassa-s me kartonin e kuq, për një veprim jo sportiv. Vllaznia përfitoi nga epërsia numerike dhe vetëm 4 minuta më pas realizoi golin e barazimit me Ymerin, duke bërë që dy ekipet të merrnin nga një pikë nga ky duel.

Ndërkohë, Laçi mori një fitore të madhe, 3-2 ndaj Partizanit, me 2 gola të realizuar nga Mazrekaj, një ish-lojtar i Partizanit. Skënderbeu mundi 4-3 Bylisin, ndërsa Apolonia fitoi 2-1 me Kastriotin.

Pas javës së 12, e cila është e fundit për këtë vit, Vllaznia e mbyll 2020-n në krye të Superiores, e ndjekur nga Partizani me 7 pikë më pak.