Kryeministri italian Giuseppe Conte ka përjashtuar vaksinimin e detyrueshëm në Itali. Në konferencën e fundvitit, kreu i ekzekutivit italian tha se beson te vaksinimi masiv.

“Përjashtojmë vaksinimin e detyrueshëm. Unë besoj në një vaksinim masiv”, theksoi ai.

Sipas kryeministrit Conte. Italia do të ketë 2.35 milionë vaksina në fund të janarit, ndërsa u përqëndrua në çështjen në lidhje me fushatën e vaksinimit.

“Deri në janar në Itali do të duhet të kemi 2 milion e 350 mijë vaksina, përveç Pfizer, do të mbërrijë edhe vaksina e Modernas, sepse EMA duhet të marrë një vendim deri në fillim të janarit. Do ta bëja menjëherë vaksinën, por ne përpiqemi të respektojmë përparësitë”.

Conte shtoi se deri në fund të pranverës do të ketë 10-15 milionë të vaksinuar.

“Rezultatet e para të vërteta të mbërritjes së vaksinës antiCovid do të jenë në fund të pranverës. Rezultatet e para reale do të merren, kur kemi vaksinuar 10/15 milion qytetarë, sipas ekspertëve, dhe nuk mendoj se do të ndodhë para Prillit. Atëherë do të përfundojë faza 1″.

Përveç vaksinimit do të konsolidohen edhe terapitë monoklonale të certifikuara nga autoritetet kompetente, u shpreh Conte, i cili shtoi se do të jenë shumë efektive.