Një inxhinier miniere dhe dy minatorë u raportua se kishin humbur kontaktet me familjarët dhe nuk ishin kthyer në shtëpi pas orarit të punës. Policia e Dibrës njoftoi të mërkurën se kishte marrë në orën 18.15 një telefonatë nga vëllai i inxhinierit të minierave, 62 vjeçarit të identifikuar me inicialet I.H, që ka denoncuar se ai dhe dy minatorë kishin humbur kontaktet me familjarët.

Policia thotë se ata punonin në minierën “Balgjaj”, Selishtë, Dibër, dhe se nga veprimet e para dyshohet se “mund të kenë mbetur të izoluar brenda në galeri, pasi sendet personale, rrobat dhe telefonat, ndodhen në dhomën e ndërrimit”.

Policia tha se ishin njoftuar grupet e avari shpëtimit, por deri rreth orës 23.00 të së mërkurës nuk kishte asnjë njoftim për fatin e minatorëve.

BIRN mësoi se në zonë kishte disa karriera të hapura dhe disa tunele që shfrytëzoheshin për nxjerrje kromi, por nuk është e qartë nëse ka licensa minerare. Minierat ndodhen në zonën e “Balgjajt” rreth pesë orë nga qyteti i Peshkopisë.

Ky nuk është aksidenti i parë i rëndë në këtë zonë. 5 vjet më parë dy minatorë mbetën të vrarë nën një masiv shkëmbijsh. Minierat janë një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri dhe çdo vit ka aksidente të rënda me humbje jete. Në pesë vitet e fundit, në galeritë e kromit në Bulqizë kanë vdekur në aksidente 27 minatorë si dhe janë plagosur dhjetra të tjerë.