Ushtria Shqiptare nisi eksperimentin hetimor në hotelin në Qerret të Kavajës, ku humbën jetën 4 turistë ruse.

Grupi hetimor, së bashku me ekspertë të strukturës ushtarake që kanë pajisjet e posaçme të cilat bëjnë të mundur dhe identifikimin e agjentëve kimikë apo biologjike, po kryejnë eksperimentin në katin e nëndheshëm të hotelit që prej mëngjesit të kësaj të premteje.

Përgjigjja paraprake e ekspertizës mjekoligjore ka hedhur dyshimet se pjesëtarët e familjes Burenkov kanë humbur jetën nga asfiksia.

Nga ana tjetër, dyshimet se kryefamiljari ka qenë kolonel në Moskë ka përfshirë në hetime edhe Agjencinë e Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes, ish-Shërbimi Informativ Ushtarak.

Pak kohë më parë, asnjë prej institucioneve shqiptare nuk mori përsipër ekzaminimin e provave. Pas mostrave të ujit për të përcaktuar përmbajtjen e klorit, Instituti i Shëndetit Publik tha se nuk ishin marrë konform procedurave. Edhe siguria ushqimore ktheu përgjigje negative.

Në dosjen hetimore përmenden ushqime të konsumuara nga turistët, por sipas ISUV, ata nuk mund të ndihmonin në ekzaminimin e provave, pasi nuk ishin në kompetencën e tyre ligjore.