Ndërsa vaksina kundër Covid-19 nisi këtë të diel në vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria ende nuk ka një datë zyrtare se kur do mund të sigurohet për qytetarët.

Lajmi i shpërndarjes së vaksinës në vendet e BE ka bërë që këshilltari i kryeministrit Rama, Endri Fuga të reagojë në Twitter duke thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë lënë në forcat e tyre.

“Dhe ta mendosh se popullsia e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor arrin të bëjë më pak sesa popullsia e një vendi të vetëm të Bashkimit Europian. Në pandemi ti mund të jesh aq i sigurt sa janë edhe fqinjët e tu”, shkruan Fuga.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama së fundmi ka deklaruar se vaksina kundër-COVID do të vijë në Shqipëri në fillim të vitit. Kreu i qeverisë ka bërë me dije se përveç bisedimeve për vaksinën Pfizer dhe Moderna, qeveria shqiptare është afër mbylljes së marrëveshjes për sigurimin e vaksinës nga kompania ‘Asrtrazeneca’.

Përpos këtyre diskutimeve, Shqipëria është gjithashtu pjesë e aleancës Covax, përmes së cilës pritet të sigurohen vaksina në gjysmën e parë të vitit 2021. Shqipëria ka parapaguar  3.9 milionë dollarë tek aleanca COVAX për të vaksinuar 570 mijë persona ose rreth 20% të popullsisë.

Sipas Ramës, vaksinimi do nisë me mjekët dhe personelin shëndetësor në fillim të muajit janar dhe do të kryhet në ambientet e stadiumit ‘Air Albania’ për të shmangur grumbullimet.