Udhëheqësit e Bashkimit Europian dështuan të bien dakord mbi një propozim për të mbajtur një samit me presidentin rus, Vladimir Putin, pasi vendet e BE-së që kufizohen me Rusinë, kundërshtuan, duke thënë se samiti do të dërgonte mesazh të gabuar.

Në një deklaratë të lëshuar në orët e para të së premtes, udhëheqësit thanë se ata “do t’i shqyrtojnë formatet dhe kushtet e dialogut me Rusinë”, pa përmendur ndonjë takim të nivelit të lartë ose plane për ndonjë samit me Putinin.

Franca dhe Gjermania propozuan mbajtjen e samitit të BE-së me Putinin – i pari që nga janari i vitit 2014 – pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u takua me presidentin rus në Gjenevë, më 16 qershor.

“Ne nuk mund të vazhdojmë pa dialog”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron. “Ne duhet të flasim, përfshirë edhe për mosmarrëveshjet tona. Është mënyra e vetme për t’i zgjidhur ato”, tha ai.

Por, pas bisedimeve gjatë natës në një samit në Bruksel, kancelarja gjermane, Angela Merkel u tha gazetarëve se nuk ka marrëveshje për samit.

“Ishte një diskutim shumë gjithëpërfshirës dhe jo i lehtë”, tha Merkel.

Duke argumentuar për samitin, Merkel u ka thënë ligjvënësve në Berlin më herët se ngjarjet e muajve të fundit kanë treguar se “nuk mjafton të reagojmë ndaj provokimeve të shumta ruse në një mënyrë të pakoordinuar”.

Ajo ka bërë thirrje për “krijimin e mekanizmave, për t’iu përgjigjur në një mënyrë të përbashkët dhe të unifikuar sulmeve hibride nga Rusia”.