Tiranë – Teksa kryeministri Edi Rama njoftoi dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj, protestuesit kanë vijuar ditën e dytë të revoltës së tyre për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga polici Nevaldo Hajdaraj. Protestuesit kanë vijuar me shkatërrimin e tabelave rrugore, bllokimin e rrugëve, prishjen e semaforëve, dritave, por nuk ka munguar dhe thyerja e xhamave të Muzeut Kombëtar.

Situata ishte tensionuar mes protestuesve, por edhe ndaj policisë. Disa dhjetëra prej tyre janë dyndur pas dyreve të kryeministrisë, duke uzurpuar dyert e saj.

Pas largimit të ministrit Lleshaj, protestuesit kërkuan edhe largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zbardhjen sa më parë të vrasjes së të riut.

Turma e qytetarëve e ka nisur protestën nga Ministria e Brendshme, ndërkohë që në momentet e para ka pasur zemërim dhe përplasje mes tyre dhe forcave të policisë.

Menjëherë policia ka ndërhyrë me gaz lotësjellës dhe autobote ujëhedhëse për të bërë të mundur shpërndarjen e protestuesve.