Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka në fushën e saj të përgjegjësisë shtetërore politikëbërjen, mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë  në  fushën  e lojërave të fatit,  me anën e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Ligji nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, i  ndryshuar, ngarkon Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, për nxjerrjen e  akteve nënligjore, dhe konkretisht në nenin 36, pika 1,  ku kërkohet nxjerrja e procedurës për pajisjen me licensë dhe në  pikën 2 të nenit 34, kërkohet përcaktimi i zonave, ku do të ushtrohet aktiviteti.

Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka  ndërmarrë  iniciativën për miratimin e:

  • VKM  nr.689, date  2.09.2020 datë “Për  përcaktimin  e  zonës  ku  do  të  lejohet  vendosja  e  lojës  së  fatit  e kategorisë “Kazino” në qytetin e Tiranës” dhe,
  • VKM  nr.690,  datë 02.09.2020 “Për përcaktimin e procedurave të zhvillimit të garës kriteret shtesë për aplikantët që konkurrojnë  për  t’u  pajisur  me  licencë  për  kategorinë  “Kazino”, e  procedura  e  shpalljes  së fituesit, si dhe rastet e revokimit apo të pezullimit të kësaj licence”.

Vendimet e Këshillit të Ministrave përcaktojnë:

  • Zonat ku lejohet vendosja për zhvillimin e lojës së fatit, të kategorisë “Kazino”, në qytetin e Tiranës me detajet përkatëse të kufizimit, sipas hartës që i bashkëlidhet vendimit;
  • Procedurat  e  zhvillimit  të  garës;
  • Kriteret  shtesë  për  aplikantët  që  konkurrojnë  për  t’u  pajisur  me licencë për kategorinë “Kazino”;
  • Procedura e shpalljes së fituesit;
  • Rastet e revokimit apo të  pezullimit  të  kësaj  licence;
  • Dhënien e licencës për “Kazino” me garë, për t’u shpallur  nga  Autoritetit i Mbikëqyrjes  së  Lojërave  të  Fatit,  i  autorizuar  për pajisjen e subjekteve me licence për kategorinë “Kazino”. Procedurat  për  zhvillimin  e  garës, kushtet,  kriteret teknike dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë aplikantët, si dhe procedurat e licencimit.

Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do të ndjekë në vijim procedurat për çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendës ose i huaj, që kërkon të pajiset me licencë në kategorinë “Kazino”. Aplikantët ndër të tjera, do të duhet të jenë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, në objektin e veprimtarisë, me kapitalin, kapacitetet dhe përvojë për ushtrimin e aktivitetit dhe marrjen e masave për të siguruar qendrueshmërinë operacionale për ushtrimin e aktivitetit.