Kryeministri Edi Rama do të flasë në orën 18.00 për vrasjen e Klodjan Rashës, sipas një njoftimi të shpërndarë nga vetë ai. Nga ana tjetër, PD e ka cilësuar paraprakisht daljen e tij thjesht një probagandë.

“Për 3 ditë me radhë, nga New York ku kaloi pushimet, nuk gjeti kohë për t’i shprehur ngushëllime familjes Rasha për ekzekutimin makabër në derë të shtëpisë së djalit të saj.

Gjatë gjithë këtyre ditëve me urdhër të tij u mundua të manipulojë opinionin publik, duke fshehur të vërtetën.

Kur e pa se nuk ia doli dot, bëri njoftimin se do të mbante fjalim. Jo për vrasjen e Klodianit siç ka ndodhur vërtet, por për vdekjen e tij.

Por shqiptarët e dinë mirë që është Edi Rama  frymëzuesi i dhunës, i arrogances dhe i urrejtjes”, tha ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Sipas tij, “asnjë fjalim nuk e justifikon dot Edi Ramën. Asnjë kurban, qoftë dhe Lleshaj, nuk e shpëton dot nga përgjegjësia”.

“Pas 7 vitesh dështimesh dhe premtimesh të pambajtura, askush nuk e beson më Edi Ramën.  Koha e tij ka mbaruar”, tha Alibeaj.