Ministria e Jashtme në Itali njofton se ambasadori i saj në Republikën Demokratike në Kongo është vrarë gjatë një sulmi të armatosur pranë Gomas.

Ambasadori Luca Attanasio që ishte 43 vjeç, një ushtar italian dhe shoferi i makinës mbetën të vrarë, ndërsa udhëtonin me një autokolonë të Kombeve të Bashkuara që u sulmua nga disa persona të armatosur.

Ngjarja është ende e paqartë dhe nuk dihen autorët e sulmit, por paraprakisht mendohet për një tentativë rrëmbimi.

Ministria e Jashtme italiane shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe kërkoi nga autoritetet në Kongo një hetim të plotë për ngjarjen si dhe vendosjen e autorëve përpara drejtësisë.

Misioni Paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara, i njohur me shkurtesën MONUSCO, po punon për të zvogëluar praninë e 15,000 trupave dhe transferimin e çështjeve të tij të sigurisë te qeveria e Republikës Demokratike të Kongos.