Luhen sot në mbrëmje ndeshjet e dyta të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. Kampionët në fuqi të Bajern Mynih dhe Interi zbresin të parët në fushë, respektivisht ndaj Lokomotivës së Moskës dhe ndaj Shakhtar Donjetsk.

Dy transferta të vështira, veçanërisht për Interin, që është në kërkim të fitores së parë. Pas barazimit në shtëpi me Borusia Mënshegladbah, të besuarit e Kontes kanë nevojë për një fitore, por Shakhtari gëzon një formë të shkëlqyer. Edhe pse me shumë mungesa, ukrainasit mundën Realin në Madrid në ndeshjen e parë.

Faqja e parë e “Marca”-s për Realin. Gazeta Si, 27 tetor 2020

Për Realin ndërkohë ndeshja e sotme në Gjermani është si një finale. Kështu e ka konsideruar shtypi spanjoll, duke iu referuar nisjes së dobët me atë humbje 2-3 në “Santiago Bernabeu”. Fitorja në “El Clasico” i ka dhënë moral skuadrës së trajnerit Zinedin Zidan dhe sot pritet trepikëshi i parë në Champions.

Luan sot edhe Atalanta e Berat Gjimshitit, mbrojtësit të Kombëtares që do të jetë titullar edhe ndaj Ajaksit. Ndeshja luhet në Bergamo, ku Atalanta synon fitoren e dytë radhazi, pas asaj në fushën e Midtjylandit.

Ndeshjet e sotme në Champions
Ora 18:55

Lokomotiv Moskë-Bajern Mynih
Shakhtar Donjetsk-Inter
Ora 21:00
Atalanta-Ajaks
Atl.Madrid-Salcburg
B.Mënshengladbah-Real Madrid
Porto-Olimpiakos
Liverpul-Midtjyland
O.Marsejë-Mançester Siti