Arsenal armësh dhe municionesh u zbulua të mërkurën në Tiranë. Në pranga ranë dy të rinj, Kristjan Gjini, 25 vjeç dhe Franceska Kolgjegja, 22 vjeçe.

Policia e kryeqytetit ka njoftuar se janë sekuestruar në total 4 pistoleta, 2 armë zjarri automatike, 4 silenciatorë, 7 maska, 2 radio si ato të Policisë, një thikë, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis sativa, fishekë të kalibrave të ndryshëm, dorashka, krehra, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjetet që përdornin personat e arrestuar.

Fillimisht ai që ranë prangat e autoriteteve ka qenë 25-vjeçari Gjini. Ai u ndalua për një kontroll fizik në bulevardin “Gjergj Fishta” ku iu gjet edhe një pistoletë.

Pas hetimeve u zbulua se Gjini kishte marrë me qira 2 banesa në Tiranë. Në njërën prej tyre banonte edhe 22-vjeçarja Kolgjegja.

Sipas policia, armët ishin fshehur në të dyja shtëpitë me qira. Po ashtu, dyshohet se me ta bashkëpunonin persona të tjerë, prandaj policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.