Ngjyra e kuqe e tribunave të “Old Trafford”, arsyeja e ecurisë negative të “Djajve të Kuq”. Sado absurde që mund të duket, janë pikërisht të këtij mendimi drejtuesit e klubit rekordmen të futbollit anglez. “Red Devils” pozicionohen në vendin e dytë në Premier League, tepër larg rivalëve të tyre të qytetit, me City-n e Guardiolës.

Diferenca aktuale në klasifikimin e përgjithshëm është 11 pikë, megjithatë ekipi i drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer ka gjithashtu edhe një ndeshje për të rikuperuar në kalendar, që mund ta afrojë formacionin e 48-vjeçarit norvegjez deri në 8 pikë.

“Red Devils” fluturojnë jashtë fushe, madje nën drejtimin e trajnerit nordik ekipi i Manchester United ka shënjestruar rekordin e Arsenalit të pathyeshëm të viteve 2003-2004, që nën drejtimin e teknikut legjendar francez të “Topçinjve”, Arsene Wenger shkoi deri në 49 ndeshje gjithsej pa humbje në Premier League. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer beson se fajin e kanë ngjyrat e sfondit të stadiumit të tyre “Old Trafford”.

Në fakt, nëse do t’u referohemi të dhënave të deritanishme të kampionatit të fundit, United ka çaluar ndjeshëm për sa i përket ndeshjeve në shtëpi.

Tani krerët e klubit të njohur anglez kanë menduar që të ndryshojnë pikërisht ngjyrat e sfondit, të mbulesës gjigante që shtrihet mbi ndenjëset e këtij impianti, përgjatë tribunave, duke zëvendësuar ngjyrën e kuqe me atë të zezë. Statistikat konfirmojnë vështirësitë e theksuara që kanë hasur “Djajtë e Kuq” gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit, por sidoqoftë deri tani më së shumti këto probleme janë lidhur me mungesën e spektatorëve.

Jashtë “Teatrit të Endrrave” United nuk ka patur probleme të tilla, përkundrazi larg “Old Traffordit” ekipi i Solskjaerit ka qenë në gjendje të përmbysë në seri në pjesën e dytë një numër rekord ndeshjesh. Nëse i mbledhim bashkë 7 sfidat e fundit të edicionit të kaluar dhe 16 ndeshjet e kampionatit aktual, janë plot 23 takime rresht jashtë fushe që ekipi i drejtuar nga trajneri norvegjez nuk njeh humbje: 15 fitore e 8 barazime, pra 53 pikë në total, sakaq në shtëpi në 23 sfidat e fundit United ka grumbulluar 12 fitore, 6 barazime e 5 humbje, pra vetëm 42 pikë gjithsej.

Drejtuesit dhe trajneri Ole Gunnar Solskjaer pas këshillimit me lojtarët arritën në përfundimin që ngjyra e kuqe influencon në rendimentin e ulët të skuadrës në ndeshjet në shtëpi, duke patur parasysh sfondin e kuq dhe vetë fanellat tradicionale të “Djajve të Kuq”.

United është një klub pararojë dhe i famshëm kur bie fjala te ngjyrat, e një rast i tillë natyrisht rikthen vëmendjen te gjesti i famshëm i trajnerit legjendar të “Red Devils” Alex Ferguson, që çerek shekulli më parë, në “The Dell”, ish-stadiumin e Southampton-it i shtrëngoi lojtarët e tij për të ndërruar fanellat në interval, duke hequr dorë nga fanellat gri, pas shpartallimit që iu bënë “shenjtorët” me rezultatin 3-0, sepse sipas tij ngjyra gri përkonte me sfondin e impiantit dhe dritën në tribunat e mbushura nga spektatorët vendas, sidoqoftë sa për histori në fund futbollistët e United e humbën përsëri atë takim, me shifrat 3-1.