Një shtëpi që shërbente për kultivimin e kanabisit është zbuluar në mes të Tiranës. Në pranga ka rënë Alban Karapici 38 vjeç, i akuzuar për kultivim i bimëve narkotike dhe prodhim e shitje e narkotikëve. Operacioni u realizua nga forcat e Komisariatit Nr.2.

Ai u kap brenda në banesën e tij, të cilën e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar vazo me fidanë kanabis të kultivuara në to, 31 llamba elektrike, një sasi rreth 140 gramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, e cila ishte e ambalazhuar në 7 kavanozë qelqi të përmasave të ndryshme, një radio si ato që përdoren nga Policia, një bllokues valësh dhe një detektor për kërkimin e GPS.

Operacioni i policisë ka vijuar për goditjen e veprimtarisë së shpërndarjes së lëndëve narkotike. Si rezultat u arrestua në flagrancë Leonardo Zela 23 vjeç, nipi i Emiljano Shullazit. Ai akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

23-vjeçari shpërndante lëndë narkotike në zonën e ish-Parkut. Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje, 4 kavanozë qelqi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, një peshore elektronike, një përforcues grushti, sasi farash të dyshuara narkotike kanabis sativa dhe shumat 11150 Euro dhe 11.000 Paund.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.