Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas mbledhjes së grupit socialist, i bëri thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që të jenë në seancë ditën që do të votohet për zgjatjen e afateve të organeve të vetting-ut.

Balla shtoi se kjo çështje i tejkalon interesat politike, ndërsa njoftoi se po diskutohet me Partinë Demokratike zyrtare mbi krijimin e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

“Zgjatja e mandatit të organeve të vetting-ut nuk ka të bëjë me bindjet politike, por me çuarjen përpara të Reformës së Drejtësisë. Nuk është iniciativë e Partisë Socialiste, por domosdoshmëri për të vijuar procesin. Mendoj që përgjegjësia e secilit deputet të Kuvendit, na detyron që të jemi në sallë dhe ta votojmë”, tha Balla.

Më tej, shtoi se ka një diskutim me grupin parlamentar të Partisë Demokratike zyrtare për objektin e mandatit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.