Pas shtatë vjet negociatash, Zvicra ka hequr dorë nga një marrëveshje kornizë e planifikuar me BE-në për marrëdhëniet dypalëshe

Zvicra nuk është në Bashkimin Evropian, por ka nënshkruar shumë politika të saj, siç është liria e lëvizjes.

Marrëdhënia aktualisht drejtohet nga më shumë se 120 marrëveshje bilaterale, dhe një dështim për t’i zëvendësuar ato me një marrëveshje kornizë, mund të dëmtojë lidhjet mes tyre.

“Na vjen keq për këtë vendim, duke pasur parasysh progresin që është bërë gjatë viteve të fundit,” tha Komisioni i BE.

Marrëveshja e tregtisë së lirë BE-Zvicër daton që nga viti 1972.

Komisioni Europian, që është organi ekzekutiv për 27 vendet anëtare të BE, tha se pa një marrëveshje kornizë BE-Zvicër, modernizimi i asaj marrëdhënie nuk do të ishte i mundur. Marrëveshjet ekzistuese nuk ishin “me hapin e kohës” dhe ndikimi i vendimit të Zvicrës do të duhej të analizohej, paralajmëroi ai.

Nga ana e tij presidenti zviceran Guy Parmelin tha se nuk ka pasur pajtim për pika vendimtare.

“Këshilli Federal konstatoi që bisedimet me BE në tre fusha nuk çuan në zgjidhjet e nevojshme. Kjo është arsyeja pse Këshilli Federal vendosi t’u japë fund negociatave” tha Parmelin.

Sidoqoftë, Zvicra do të mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian, siguroi ministri i Jashtëm, Ignazio Cassis. Ai pret që marrëveshjet e tanishme bilaterale të vazhdojnë të zbatohen dhe që të vazhdojnë diskutime për marrëveshje të reja. Për më tepër, ekziston dëshira që në një “dialog politik” me BE bashkëpunimi të zhvillohet edhe më tej.

Marrëveshja prek lëvizjen e lirë të personave ose të drejtat e punonjësve. Për vite Zvicra dhe BE kanë negociuar një marrëveshje që të rregullojë marrëdhëniet e ardhshme, ndërsa tani zviceranët i ndërprenë negociatat.