Gjatë muajve janar-gusht 2020, Këshilli i Ankesave pranë Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) ka ndërmarrë 23 masa me tërheqje vëmendje ndaj mediave audiovizive, mësoi Euronews Albania përmes një kërkese për informim.

Këshilli i Ankesave është një organ i cili ka për objekt të punës mbikëqyrjen e zbatimit të kodit dhe rregulloreve të miratuara nga AMA.

Në 23 masat e tërheqjes së vëmendjes, AMA informon se vetëm një prej tyre lidhet me cenimin e privatësisë, ndërsa pjesa tjetër lidhen me shkelje të tjera që variojnë nga shtyrja e orarit të transmetimit të përmbajtjeve të caktuara (5 masa), katër prej tyre për mosvendosjen e shenjave paralajmëruese për mbrojtjen e fëmijëve, për mosrespektim nga TV kombëtar të ligjit për gjuhën e shenjave (3 masa), mostransmetim apo ndërprerje transmetimi (4 masa), si dhe për mosrespektim të rregullave anti-COVID, dhe shkelje të tjera të normave etike të Kodit të Transmetimit.

“Gjatë vitit 2019, janë propozuar 5 masa administrative me gjobë nga Këshilli i Ankesave (1 prej të cilave për gjuhë urrejtje), 21 tërheqje vëmendje, dhe po ashtu, nga një rast; heqje reklame nga transmetimi, ndalim i transmetimit të programeve me natyre tregtare, kërkesë operatorëve kombëtarë për respektimin e gjuhës së shenjave, si dhe në dy raste për mostransmetim materiali ndaj gjithë operatorëve pas pranimit ankesave respektive,” deklaroi AMA.

Organizatat e mbrojtjes së të drejtave të Grave kanë shprehur shqetësim lidhur me abuzimin mediatik ndaj privatësisë dhe për rastet në shtim të mosrespektimit të dinjitetit të personave të përmendur.

Organizata “Gruaja tek Gruaja” i bëri thirrje gazetarëve të respektojnë të dhënat personale të grave dhe vajzave, kur ato janë subjekt i lajmeve, duke marrë shkas nga raste të publikimit në mediat online të lajmeve që shkelin privatësinë dhe denigrojnë personat e përfshirë.

“Shprehim shqetësim dhe indinjatë për rastet abuzive të njëpasnjëshme të përsëritura, të publikuara në median online të cilat nxisin gjuhën e urrejtjes dhe dhunën bazuar në gjini, shkelin Kodin e Etikës dhe të drejtën e privatësisë duke publikuar dhe identifikuar lehtësisht viktimën pa marrë parasysh ndikimin e përmasave të ngjarjes në mirëqënien e saj,” thuhej në një deklaratë për shtyp nga organizata.

“Ne jemi të shqetësuar për mungesen e etikës nga ana e gazetarëve kur raportojnë për çështje të grave, por që gërshetohen edhe me pakujdesinë e policisë sa i takon mbrojtjes se identitetit,” tha për Euronews Albania, Besara Podgorica nga organizata Gruaja tek Gruaja.

“Për ne është shqetësuese që gazetarët nuk respektojnë ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, duhet ta dinë që është e kundërligjshme nxjerrja e të dhënave personale dhe të mos cënohet viktima në këtë lloj mënyre, sepse po shkatërrojnë jetë për klikime,” shtoi ajo, duke i bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse dhe Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të veprojnë përmes masa apo kundravajtjeve administrative.

Ndërsa AMA vepron në fushën e mediave audiovizuale, qeveria ka çuar së fundmi përpara përpjekje për t’i dhënë Këshillit të Ankesave fuqi për të vendosur mbi përmbajtjen e mediave online, të cilat kanë marrë hov përgjatë viteve në Shqipëri.

Përpjekjet u kritikuan nga grupet e gazetarëve dhe organizatat ndërkombëtare si censuruese, ndërsa Komisioni i Venecias shprehu opinionin e tij mbi ligjin e kthyer nga presidenti në parlament, duke nënvizuar rrezikun që i sjell lirisë së medias në vend.

AMA gjithashtu njoftoi se në janar-gusht 2020 ka ndërmarrë katër sanksione me gjobë ndaj kabllorëve, për shkaqe që lidhen me të drejtat e transmetimit dhe kontrollet në to.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale njoftoi në gusht se gjatë pandemisë së Covid-19, pati rritje të ankesave nga qytetarët, lidhur me keqpërdorimin e të dhënat e personale.