Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj u shkarkua nga KPA-ja këtë të mërkurë.

Komisioneri publik kërkoi më herët shkarkimin e saj nga detyra edhe në bazë të rekomandimit të vëzhguesve të operacionit ndërkombëtar të monitorimit.

Sipas komisionerit, prokuroja Imeraj ka probleme në të 3 komponentët e vlerësimit, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkon nga detyra drejtuesen e prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj.

Duke folur për mediat pas vendimit, Imeraj e konsideroi vendimin ndaj saj politik dhe në kundërshtim me ligjin.

Imeraj: Në KPA jam drejtuar me pyetje konkrete: Kush e dëshiron shkarkimin e Elizabeta Imeraj? Vetëm kjo përgjigje nuk u dha në vendimin e sotëm. Shpresoj se do ta kem të arsyetuar se kush e dëshiron shkarkimin e Elizabeta Imeraj nga sistemi i drejtësisë. Elizabeta Imeraj ka zero pasuri në pronësi dhe bashkëpronësi në territorin e Shqipërisë dhe jashtë saj. Do ju vë në dispozicion çdo akt në dosje që lidhet me elementë që kanë të bëjnë me figurën, personat e lidhur  apo Elizabeta prokurore e Shqipërisë… ishte. Së treti, puna ime në 17 vite ka folur më së miri se në çfarë mënyrë është kryer puna e prokurorit të Shqipërisë dhe rezultatet e marra prej tyre. Më shumë se 160 të pandehur janë dënuar me formë të prerë dhe vetëm 3 prej tyre kanë marrë pafajësi. Rezultati në raport me atë çfarë KPA vendosi është disproporcional.

Imeraj tha se ajo çfarë reforma në drejtësi synon është krijimi i një sistemi të drejtësi të pavarur, që tejçon besimin te publiku.

Imeraj: Te ai publik që mendon se secili jep vendimin e tij të bazuar në ligj, prova dhe fakte pavarësisht se sa është tensioni, presioni, ndikimi i raporteve politike, ekonomike, kriminale apo dhe të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët emocionalisht mund të mos jenë ndjerë rehat në një proces rivlerësimi për shkak të letrave anonime të futura në të. Jam munduar gjatë këtij procesi që në shkallë të parë, por dhe në KPA, të prezantoj jo për veten time, jo për  familjen time dhe fëmijët e mi por mbi të gjitha për të gjithë ju dhe publikun shqiptar, të vë në dispozicion akte, fakte dhe prova, të cilat dëshmojnë në mënyrë të qartë që ky proces ka qenë i afektuar që në fillimet e tij për shkak dhe të faktit të lidhur ngushtësisht me futjen e kartelave apo dokumentacionit të pasurisë të falsifikuar, pranimit dhe bërjes si burim prove të deonocimeve anonime me emra të tillë si Rrahim Shehu apo Valentino Imeri. Nëse reforma në drejtësi, qëllimi i saj, aplikimi i saj, ajo çfarë duam prej saj, është të bazohemi në denoncime anonime apo dokumentacione të falsifikuara, atëherë është e vërtetë: Elizabeta Imeraj duhet të shkarkohet!

Me shkarkimin e saj krijohet një vend bosh në prokurorinë më të madhe në vend, atë të Tiranës.

Më datën 26 mars, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi unanimisht caktimin e prokurores Elisabeta Imeraj në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për një mandat 3-vjeçar.