Presidenti Ilir Meta ka folur për mediat nga Pogradeci, ku ndodhej për një vizitë pune. Ai pyet nga gazetarët nëse i frikësohet një shkarkimi nga Gjykata Kushtetuese. Meta tha se është i qetë dhe i pashqetësuar pasi me veprimtarinë e tij ka mbrojtur Kushtetutën.

Kreu i shtetit nuk komentoi gjatë zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike, por u shpreh se debati duhet t’i përmbahet parimeve demokratike. Sa i përket një marrëveshjeje Rama-Basha, akuzat për të cilat i ka hedhur Berisha, Meta tha se “Ato janë çështje të tyre mjaftojnë të respektojnë Kushtetutën, parimet demokratike dhe të respektojnë dinjitetin e çdo qytetari të Republikës”.

Ndër të tjera Meta u shpreh se nuk ka për t’u realizuar kurrë skenari për të lënë vendin pa opozitë.

Keni patur kontakte me Komisionin e Venecias dhe a i druheni një shkarkimi nga Gjykata Kushtetuese?

Ilir Meta: Jam shumë i zhgënjyer për pyetjen tuaj sepse nuk ekziston asnjë çështje e tillë. Ajo është çështje politike. Jam tepër i qetë dhe i pashqetësuar për sjelljen e të tjerëve sepse sjelljet e mia kanë qenë tërësisht në respekt të Kushtetutës. Jam krenar për gjithë veprimtarinë time në mbrojtjen e Kushtetutës, e cila është sulmuar në mënyrën më armiqësore, por edhe më tradhtare nga faktorë të jashtëm edhe të brendshëm për të pasur Shqipërinë sot në një situatë aspak të dëshirueshme në raport edhe me proceset e integrimit europian, Kuvendi duhet të kishte çelur negociatat me kohë në rast se do të kishte marrë në konsideratë propozimet dhe përpjekjet e Presidentit prej bvitesh për të kapërcyer krizat e mirëstrukturuara si të zgjedhjeve të paligjshme vendore ashtu edhe të kapjes me çdo çmim të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë kriminale, siç ka faktuar edhe vetë Komisioni i Venecias në të kaluarën.

Janë 5 bashki që nuk kanë kryetar për shkak të ligjit të dekriminalizimit, por edhe dorëheqjeve, mund të kemi zgjedhje për këto bashki që nuk kanë kryetarë?

Ilir Meta: Presim prej vitesh një vendim të Gjykatës Kushtetuse për zgjedhjet vendore, pavarësisht se për vlerësimin tim kjo është një çështje e qartë.

Zoti President sa mund të ndikojë lëvizja e zotit Berisha me foltoren e tij dhe takimet që po bën me bazën dhe më tej, zhvillimet që po ndodhin në PD?

Ilir Meta: Nuk dëshiroj të komentoj zhvillimet e brendshme në asnjë forcë politike. Ato duhet t’i zhvillojë debatet e tye në mënyrë demokratike në respektim të parimit të shtetit të së drejtës dhe normave kushtetuese të vendit. Demokracia nuk është vënë njëherë e përgjithmonë siç e keni kuptuar qartë edhe në këto 3 dekada, ajo ka ulje-ngritjet e saj në një sistem të caktuar politik dhe shoqëror, por edhe brenda vetë forcave apo grupimeve politike. Shpresoj që të gjithë t’i përmbahen parimeve më bazike të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Zoti President nuk e keni fshehur asnjëherë simpatinë për zotin Berisha, por në akuzën që ai thotë për një bashkëpunim mes Bashës dhe Ramës në dëm të interesave kombëtare si e shihni?

Ilir Meta: Nuk dëshiroj të bëhem pjesë e këtyre debateve, ato do të kemi kohë t’i gjykojmë pas 24 Korrikut, vazhdimisht, çdo çështje politike për 3 dekadat e ardhshme. Ato janë çështje të tyre mjaftojnë të respektojnë Kushtetutën, parimet demokratike dhe të respektojnë dinjitetin e çdo qytetari të republikës.

A e keni parë vendin me ndonjë opozitë kaq të dobët herë tjetër?

Ilir Meta: Unë jam i bindur se nuk ka përpjekje në botë që të realizojë atë skenar të zi për të lënë Shqipërinë pa opozitë, një skenar që luhet prej shumë vitesh. Jam i sigurt që shqiptarët nuk do pranojnë kurrë të kthehen në modele të cilat nuk i takojnë kontinentit tonë. Shqiptarët kanë një potencial të jashtëzakonshëm për të ecur përpara dhe këtë potencial e garanton demokracia e vërtetë dhe demokracia që është nën kontrollin e shqiptarëve.

Zoti President sot është mëngjes lutjesh, përse lutet sot Meta?

Ilir Meta: Lutem për burimin e gjithë asaj force për të cilën ka nevojë qytetari, ka nevojë çdo njeri, ka nevojë çdo grupim apo shoqëri për të kaluar me sukses vështirësitë për besimin dhe për forcimin e besimit dhe për bashkëjetesën vëllazërore.

Si e shihni vendimin e Spak që ka hequr dorë nga patronazhistët duke thënë se nuk ka patur korrupsion në zgjedhje.

Ilir Meta: I qëndroj vlerësimeve të Transparency International për këtë çështje dhe nuk jam i zhgënjyer nga çdo lloj lajmi tjetër.