Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla merret zyrtarisht i pandehur për fshehje të pasurisë.

GJKKO vendosi të kalojë në gjykim dosjen ndaj ish-Prokurorit.

Ai do të ulet në bankën e të pandehurve për akuzën e “mosdeklarimit të pasurisë”.

Gjykata vendosi të heqë masën e sekuestros për pronat që ishin bllokuar në nisje të hetimit ndaj tij.

Hetimet

Me akuzën e ngritur nga Prokuroria, Llalla rrezikon të dënohet me gjobë deri në tri vite burg.

Pak kohë më parë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë përfundoi hetimet paraprake për proçedimin penal Nr.65, viti 2019, në ngarkim të Adriatik Llallës, me funksion ish – Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të hetimeve paraprake, pasi janë kryer të gjitha veprimet e mundshme dhe të nevojshme hetimore, pasi janë vlerësuar të gjitha provat e administruara gjatë hetimeve, Llalla është marrë i pandehur dhe i është njoftuar akuza për kryerjen e veprës penale:

“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi (2) i Kodit Penal.