Ambasadori gjerman në Athinë, Ernst Reichel është vënë në qendër të kritikave, që kanë shkuar deri tek thirrjet për ta larguar nga Greqia, pas një komenti në dukje me doza admirimi për Ali Pashë Tepelenën, të shprehur përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Ali Pashai, guvernator osman, njohur edhe si Luani i Janinës, u përpoq që të krijojë një shtet të pavarur në Epir. Ai dështoi dhe u vra! Trupi i tij pa kokë është i varrosur këtu. Në një ngjarje tjetër thuhet se ai mbyti në Liqenin e Janinës 18 vajza që refuzuan t’i bashkoheshin haremit të tij”, shkroi në Twitter ambasadori gjerman në Greqi.

Postimi shoqërohet me një foto nga Xhamia e Feties, që ndodhet në Janinë, e ku është varrosur trupi i Ali Pashë Tepelenës.

Synimi i ambasadorit gjerman në Athinë ndoshta ka qenë informimi i ndjekësve të tij me emrin shqiptarit që u shndërrua nga kaçak në një prej figurave më të përfolura në Europë përgjatë sundimit të tij autonom. Por, postimi shkaktoi një valë reagimesh negative të ndjekësve të tij grekë, që e cilësuan të pavend këtë postim në dritën e rindezjes së përplasjeve me Turqinë në Mesdheun Lindor.

Shumë prej tyre e akuzuan se me këtë postim po poshtëronte dhe provokonte popullin grek, duke i përmendur emrin e një “tirani despotik”, që sipas disa komentuesve “ka djegur fshatra dhe masakruar të krishterët grekë të Epirit”.

“Zoti Ambasador, respektoni vendin që ju pret”, ishte komenti i një tjetër ndjekësi të Ernst Reichel.

Por, çështja nuk mbeti vetëm brenda rrjeteve sociale. Mediat greke, kryesisht ato konservatore dhe ato të njohura për qëndrimet e tyre ekstremiste e pasqyruan gjerësisht me thirrjet drejtuar ministrit të Jashtëm gjerman, Heiko Maas që t’i “tërheqë vëmendjen ambasadorit të tij në Athinë”.

Megjithatë, kritikat si në profilin e tij në rrjetet sociale, ashtu edhe mediatike nuk e stepën ambasadorin gjerman. Reichel reagoi duke shprehur habi për reagimin “agresiv” për këtë postim.

“Të dashur urryes, çfarë ju nxeh më shumë në këtë postim; se më pëlqen Ali Pashai, që u rebelua kundër osmanëve, apo që nuk më pëlqen dhe ç’lidhje ka kjo me situatën aktuale?”, shkroi ai në një koment të dytë.