Ky status i veshur si artikull ka disa ditë që qëndron në krye të faqes së gazetës Dita online.

Si njeri që më interesojnë në lëkurë çështjet e letrave shqipe, dua ta marr vesh dhe nuk e marr dot.

Autori – për mua personalisht i respektuar që nga vitet kur e kam pasur pedagog universiteti – ngre një problem, por edhe nuk kafshon. E frenon shigjetën në momentin që do të shpojë mish.

Flet por e mbulon dorën me gojë. Nuk më duket se e bën ngaqë ka frikë, sepse nuk më është dukur kurrë nga ata që kanë frikë.

E lexoj dhe më duket sikur nuk më flet mua. Është një mënyrë të shprehuri e maskuar, që mua si lexues më bën të ndihem i përjashtuar. Një paralajmërim për një të tretë.

Nuk e marr vesh me kë e ka.

Përpiqem ta ndjek me sa mundem letërsinë shqipe bashkëkohore, por sërish e kam të vështirë të mendoj për ndonjë vepër – ose autor – që mund ta meritojë fshikullimin.

A është i detyruar autori që të shkruajë gjëra të qarta EDHE për një lexues si unë? JO NUK ËSHTË I DETYRUAR. Por jam i sigurt se ky status e ka një lexues të informuar.

Lëshon një mesazh që ndërkohë ka mbërritur në destinacion.

Një hapësirë leximi publike po shërben për shkëmbime mesazhesh të koduara. Dhe nuk them dot se kjo më duket normale, sepse nuk është.

A ka njeri nga ju “të brendshmit”, që më ndihmon dot?

(AV)

P.S. Më vë në dyshime mos kam vepruar edhe unë kështu ndonjëherë – duke e mbajtur dorën në momentin e fundit. Madje më bën që t’i shoh shkrimet e mia me sy tjetër.