Dy persona janë shoqëruar nga policia pas të shtënave me armë mbi zyrat e televizionit “Top Channel” që ndodhi pas mesnatës së të dielës në periferi të kryeqytetit dhe u vra roja i sigurisë Pal Kola.

Policia e Vlorës shoqëroi dje dy persona nga Shkodra, pasi krijoi bindjen se fshihnin diçka. Roberto Papci dhe Agostin Tonaj po lëviznin me një automjet tip “Ben”z. Automjeti tip “Benz” ishte i marrë me qira në Shkodër.

Pas shoqërimit ata janë marrë në pyetje shkurtimisht nga DVP Vlorë, për t’iu dorëzuar më pas DVP Tiranë për veprime të mëtejshme dhe me pas janë lënë të lirë. Roberto Papci rezulton të jetë ish-dhëndri i Pal Kolës.

Sipas hetimeve, në ngjarje ka dyshime që kanë qenë 5 persona që kanë marrë pjesë, ku për pasojë ndërroi jetë 60-vjeçari Pal Kola. Mjeti tip “Range Rover” që u përdor nga atentatorët, kishte ardhur drejt godinës së këtij televizioni nga rruga e Mëzezit, ndërsa thuhet se ka marrë sinjalizim nga një person që mendohet se ka ecur në këmbë pak para ngjarjes.