Dy të rinj me precedentë penalë në të shkuarën, të identifikuar si Erigers Mihasi 32 vjeç dhe Armand Dumani, 26 vjeç, janë vrarë me armë zjarri mbrëmjen e të shtunës në Tiranës në zonën e “Astirit” në një atentat mafioz.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 në vendin e quajtur “2 Rrathët”, ku është qëlluar në drejtim të një mjeti tip “Audi A8” luksoz me targa AB008EM, i cili ishte në lëvizje. Pas krimit, policia ka gjetur një makinë tip “Toyota” të djegur në Thumanë, e dyshuar se i përket autorëve të ngjarjes. Mjeti ishte me targa të Tiranës dhe sipas policisë dyshohet të jetë vjedhur muaj më parë.

Sipas informacioneve paraprake, një makinë në lëvizje ka studiuar “Audin” ku ndodhej Mihasi dhe Dumani në zonën e Astirit dhe kanë pritur që të futen në kryqëzim, duke ngadalësuar makinën për t’i qëlluar me breshëri.

Njëri nga viktimat, Erigers Mihasi, është një personazh i njohur në botën e krimit në vend. Ai ka qenë i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i dyshuar i sulmit me armë ndaj kompleksit “Eiffel”, por për mungesë provash çështja ndaj tij u pushua.

Në muajin korrik 2019, ai u arrestua nga policia me urdhër nga Prokurorisë së Gjirokastrës, si i dyshuar në ngjarjen e dhunimit dhe grabitjen e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë.

Mihasi ishte mik i ngushtë me Santiago Malkon, ish-policin e vrarë në zonën e Porcelanit në Tiranë më 27 gusht 2019, me të cilin dyshohet se kanë qenë autor të plagosjes me armë ndaj kushërinjve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi në Tiranë në 2018, ku nga sulmi mbeti i plagosur edhe shoku i tyre, Ibrahim Durollari.

Emri i Mihasit lidhet ngushtë edhe me plagosjen e Rudolf Tomës në vitin në 2017, ky i fundit punonjës Bashkisë së Kurbinit. Po ashtu, Erigers Mihasi është shok i Ervis Martinajt, emri i të cilit është përfshirë nga policia në disa ngjarje kriminale. Mësohet se makina “Audi” ku udhëtonin të rinjtë, ishte marrë me qira nga Mihasi, cili kishte mbërritur nga Gjermania ditën e djeshme.

Ndërsa viktima e dytë, Armando Dumani, 26-vjeç, udhëtonte si pasagjer në automjetin tip “Audi A8” që drejtohej nga Mihasi. Dumani, me origjinë nga Vlora, ishte mik i ngushtë me 32-vjeçarin.

Në vitin 2012, Dumani ka qenë i arrestuar bashkë me disa persona të tjerë për një sërë grabitjesh në banka të ndryshme. Asokohe, banda e tyre u kthye në “makth” për bankat e niveleve të ndryshme, deri në shkatërrimin e saj nga policia. Ai ka qenë i arrestuar per grabitjen e një filiali banke në Vlorë dhe është dënuar për këtë ngjarje.

Dy viktimat ishin fqinj me njëri-tjetrin dhe banonin në zonën e Yrshekut në Tiranë, ndërsa Mihasi ishte baba i 3 fëmijëve, 2 djemve dhe një vajze të vogël.

Ndërkohë, policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ku janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.