“Bienvenue Weltmeister”. Kështu e priste verën e kaluar Bajerni i Mynihut kombëtaren franceze, që stërvitej në kampusin e bavarezëve. Ajo “mirë se erdhët kampionët e botës”, e shkruar gjysmë në frëngjisht dhe gjysmë në gjermanisht, tregon se sa shumë vitet e fundit Bajerni është joshur nga francezët.

Në ndeshjen e fundit Bajerni ka vendosur një rekord për veten dhe gjithë kampionatin gjerman në tërësi. Për herë të parë që kur është krijuar Bundesliga, një skuadër ka luajtur me 5 francezë nga minuta e parë. E bëri të shtunën Bajerni, që e nisi ndeshjen me Upamekano, Hernandez, Pavard, Toliso dhe Koman në formacion, duke luajtur me më shumë francezë se gjermanë (ishin 4).

Bajerni feston golin e Sane ndaj Arminias

Në të kaluarën, vetëm një skuadër e Bundesligës ka luajtur me më shumë të huaj të një kombësie se Bajerni. Ajo është Hansa Rostok e trajnerit Armin Veh, që në sezonin 2002-03 hodhi në fushë nga minuta e parë të gjashtë suedezët që kishte. Nga Jakobson në mbrojtje, për të vazhduar me Uibran, Person dhe Lantz në mesfushë dhe Prica dhe Arvidson në sulm.

Por kujdes, Bajerni mund ta thellojë rekordin me francezët, sepse përveç Upamekano, Hernandez, Pavard, Toliso dhe Koman, të cilët luajtën në fitoren 1-0 ndaj Arminia Bilefeld, në skuadër janë edhe 3 francezë të tjerë, Kuasi, Sarr dhe Kuisance. Kështu bavarezët, që dominojnë Bundesligën prej 10vitesh, mund ta thyejnë edhe rekordin e Hansa Rostok.