Nga Kastriot KOTONI

Asnjë lajm nuk është më i çuditshëm dhe nuk përbën skup këto ditë pranvere në mediet shqiptare. Kemi një ligjërim përtej parashikimit të situatës politike vetëm në përsëritjen e fenomenit të baltosjes së organeve të pavarura tashmë të të gjithë skakierës politike së cilës kur nuk i shkojnë përshtat vendimet e gjykatave apo thirrjes së SPAK dhe organeve të tjera të pavarura që dëshmojnë çdo ditë shkallën e korrupsionit, atëherë sikur më parë politikanët e mazhorancës në pushtet dhe opozitës së përçarë, janë bërë bashkë e si hiena sulmojnë me klithma bishash të tërbuara. Termave që dikur i përdornin kundër njëri tjetrit, maternitet i krimit, vrasës e bij vrasësish, makineri e baltosjes, ne nuk jemi si ju, unë jam ky dhe ju jeni budallenj, tjetri të këpuste në mes, e kush i rendit sa e sa nofka e fjalë parazite dalë nga qenefi i politikës këto 32 vjet u ka ikur koha. Duket tajfuni i ndëshkueshmërisë po vjen dhe duan apo nuk duan këta që janë bërë si vllezërit siamezë në gojëçaraphanen e tyre me kërcënime e me një gjuhë përçmuese, përdhosëse dhe shantazhuese po i kalojnë jo vijën e kuqe, por edhe ylberin, a thua se nuk e dinin se çfarë po votonin kur edhe atë votim e kryen me pahir se i vuri “Daj Sami” në rresht. Tani fjalori i frutikulturës në gojën e kryeministrit Rama është zëvendësuar me përgjegjësinë individuale të opozitarit Metaj dhe “Foltoristi” i ballkonit ka nxjerr në shesh të mejdanit politik zotin Bardhi, që në futboll quhet lojtari shkatërrues… dhe nuk po e kryen keq këtë rol. Kaq shumë i dhunojnë ligjet sa kur sheh debatet politike të parlamentarizmit të vitit 1922 vetëm ikën me të katra. Po pse more qyqar a nuk ishin të gjithë ata burra edhe bejler dhe idealist për të bërë atë cop Shqipëri me ligje si në të gjithë botën dhe evropën, ja një citim nga një shkresë përcjellëse: “Shkresë përcjellëse e Kryeministrisë drejtuar Këshillit Kombëtar mbi projektligjin për përgjegjësinë penale të ministrave. Tiranë, më 10 shtator 1922. Ju nga keni ardhur që hidhni në herë kushtetutën? Po ju ishët e shtetit që kërcënoni ditë e natë organet e pavarura, a keni patur këshilltar që iu këshillonin që me veprimet tuaja të mos shkelnit kushtetutën ligjin dhe a nuk ishit betuar se do të ishit shembulli i zbatimit të saj? Pse ktheheni në gjendjen tribale kur ju preken interesat? Po citoj përsëri përsëri përpjekjet e parlamentarëve shqiptarë në vitin 1921: “Vendim i Këshillit të Ministrave për organizimin e drejtësisë paraqitur Këshillit Kombëtar për miratim”, ata parlamentar nuk e kishin kokën në vend të lig, kur debatonin e bënin ligjet që ta shkëpusnin njëherë e mirë Shqipërinë nga prapambetja shumëshekullore dhe as që menduan ndonjëherë që t’u kundërviheshin ligjeve që i miratonin për të mirën e shoqërisë dhe vendit. Dhe një tjetër ligj që ia vlenë që t’a ekspozojmë për të kuptuar edhe ndryshimin entuziast të jetës politike të deputetëve të asaj kohe. “Njoftim i Këshillit drejtuar Kryeministrisë, lidhur me miratimin e ligjit mbi të drejtat e veçanta të deputetëve të gjykuar për faje të ndryshme”.

Gjuha e përdorur dhe uniteti i klasës së vjetër politike kundër institucioneve të pavarura u vë shenjën e barazimit dhe askush të mos thotë nesër- “Si more më barazon ti mua me atë që ka vrarë e ka prerë shqiptarët?” Mos më keq akoma kur ti bëje kualicion me Metën ai ishte burrë i mirë! Këtë qemane nuk duan ta dëgjojnë më shqiptarët, se edhe kaq sa kanë ngelur janë peng i politikës suaj.