Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka deklaruar se PD depoziton nesër në Kuvend tre amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me vettingun e politikanëve, reformën zgjedhore dhe atë territoriale.

Sipas Bardhit në një komunikim me median, këto tri pika nuk janë në interes të PD, por të qytetarëve.

Grupi parlamentar i PD dje vendosi që gjatë javës të depozitojë disa amendamente kushtetuese për tre çështje madhore në interes të qytetarëve, si pastrimi i politikës nga të korruptuarit dhe  individët me lidhje me krimin, rikthimi i legjitimitetit të zgjedhjeve dhe reformën e re territoriale që afron më shumë shërbimet te qytetarët.

Autorizoj komisionin, anëtarët e PD në komisionin e ligjeve si grup pune për të finalizuar amendamentet.

Sot grupi i punës u mblodh, u ra dakord për cështjet që grupi parlamentar autorizoj dhe vendosëm që nesër të depozitojmë amendamentet kushtetuese.

Të trija çështjet nuk janë të interes të PD, por të shqiptarëve. Ka ardhur momenti për të siguruar që në institucionet më të larta shtetërore, parlament, qeveri të kemi persona të palidhur me krimin dhe jo të korruptuar, sikundër edhe një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe reformë territoriale që con shërbimet aty ku qytetarët janë.

Nesër do njiheni me propozimet tona të plota për çështjet. Grupi i punës sot autorizoi depozitimin e amendamenteve nesër”, u shpreh Bardhi.

I pyetur nëse PD ka marrë garanci që këto amendamente do votohen nga PS, Bardhi tha se detyra e opozitës është të ofrojë zgjidhje për hallet e qytetarëve.

“Detyra e opozitës është të ofrojë zgjidhje për hallet e qytetarëve. Me këto 3 propozime nuk shohim interesin e PD, por qytetarëve shqiptarë. Mazhoranca me gjithë problemet që ka pas 25 prillit duhet ti rikthehet interesit të qytetarëve. Ky është momenti. Propozimet do jenë të shkruara”, tha Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD u pyet nëse opozita ka diskutuar me ndërkombëtarët për këto ndryshime amendamente  .

“Po ka patur proces informimi të partnerëve ndërkombëtarë mbi cdo propozim nga PD”, tha Bardhi.