Gjigantët e mediave sociale dhe teknologjisë, Google, Alibaba, Amazon dhe Wikipedia janë ndër kompanitë e mëdha që janë etiketuar si “platforma shumë të mëdha në internet” nga Komisioni Evropian dhe tani do të duhet t’u përmbahen rregullave më të rrepta sipas Aktit të rëndësishëm të bllokut për Shërbimet Dixhitale (DSA).

Ekzekutivi i BE-së zbuloi listën e parë të 19 kompanive të konsideruara “shumë të mëdha” të martën. Ato u kategorizuan të tilla sepse kanë të paktën 45 milionë përdorues aktivë mujorë.

Aty përfshihen Alibaba AliExpress, Amazon Store, Apple AppStore, Booking.com, Facebook, Google Play, Google Maps, Google Shopping, Instagram, LinkedIn, Pinterest, Snapchat, TikTok, Twitter, Wikipedia, YouTube dhe Zalando.

Këto kompani tani kanë katër muaj kohë për të përmbushur kompletin e detyrimeve të reja sipas DSA. Pjesa e legjislacionit hyri në fuqi në nëntor dhe synon të forcojë mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve në internet dhe të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie më të madhe.