Ish-trajneri i njohur italian foli për mikrofonat e “Radio Anch’io lo sport”, ku “bekoi” kthimin e bardhezinjve në garën për titull: “Juve po gjen një identitet dhe ka më pak probleme në lojë. Ekipi po kupton se çfarë duhet bërë. Pirlo duket më i qartë në idetë e veta. Natyrisht, përcaktuese do të jetë ndeshja e prapambetur me Napolin dhe mbi të gjitha ajo direkte kundër Interit. Sytë janë sidomos nga Cristiano Ronaldo. Ai është një lojtar, që mund t’i japë dorën fituese skuadrës në çdo moment. Sidoqoftë, tani edhe të tjerët janë më të përgjegjshëm dhe kjo vlen për mirë. Unë shoh një Juve më pak të varur nga Ronaldo”.

Për Romën dhe Interin

Pastaj, ish-trajneri analizoi ekipin e Fonseca-s: “Roma është më fleksibël, por derbi mbetet gjithmonë një lojë e veçantë. Unë kam thënë prej ca kohësh se më pëlqen mënyra se si luan, vetëm se dje u dorëzua për 20-25 minuta para Interit. Pastaj, në 20 minutat e fundit luajti përsëri si një ekip i shkëlqyeshëm”.

Më tej, Capello tha fjalën e tij për Conte dhe Inter: “Antonio gjithmonë ka dashur të injektojë vendosmërinë, zemërimin, forcën dhe besimin e tij te skuadra që drejton. Këtë po bën edhe tani. Në ndeshjen e “Olimpico”, të dyja skuadrat patën momente të shkëlqyeshme dhe momente luhatjeje. Për mua, një ekip i shkëlqyeshëm nuk duhet të bëjë gabime. Ndeshja e së dielës së ardhshme do të jetë shumë e rëndësishme. Nëse Interi fiton, Juve do të mbetej jo pak larg në renditje”.

Për Milanin dhe Piolin

Në fund, Capello komentoi ecurinë e Milanit: “Është një ekip i ri dhe argëtues. Humbi ndaj Juves, por është sikur të kishte fituar për shkak të mënyrës se si luajti. Shumë menduan se pa Ibrahimovic, kuqezinjtë do të ishin shembur, por jo. Secila skuadër ka karakteristikat e veta. Çdo trajner duhet të kuptojë se në cilin klub shkon të punojë dhe bazuar në këtë, gjithashtu transformon karakterin dhe mënyrën e tij të menaxhimit. Pioli kishte një përvojë tek Interi, pastaj arriti te Milani pa presion të madh dhe u konfirmua, duke demonstruar qetësi. Ai po arrin t’u japë të gjithë lojtarëve peshën e duhur, prandaj mendoj se me një ekip kaq të ri, mund të befasojë dhe të zgjasë kryesimin deri në fund”.