Juventusi arriti një fitore shumë të rëndësishme në rrugën për në titullin e dhjetë rresht. Bardhezinjtë mundën Milanin me shifrat 1-3 dhe ngushtuan diferencën me kuqezinjtë, që kryesojnë renditjen pas 16 javësh

Fabio Capello është njëri që nuk e kafshon gjuhën, ndërsa ka komentuar sfidën e javës së 16 të Serie A mes Milan dhe Juventus. Ish-trajneri ka komentuar 1-3 e bardhezinjve duke kursyer kritikat për të dyja skuadrat dhe veçanërisht për Cristiano Ronaldon nga një anë dhe  Theo Hernandez nga ana tjetër.

“Juve ka një ekip (bashkë me stolin) mjaft të ekuilibruar, shpesh zëvendësimet bëjnë ndryshimin. Milani pa shumë lojtarë i mungonin zëvendësimet, ka një numër të paktë lojtarësh”, tha Capello për Sky Sport. “Ndeshjen e fitoi Chiesa, bëri diferencën me dy gola dhe një shtyllë. Cristiano Ronaldo? Juventus fitoi pa të. Ronaldo bëri një nga ndeshjet më të shëmtuara që kur është te Juventusi, nuk u pa fare”.

Kritika edhe për ngjyrat kuqezi. “Theo Hernandez? Mund të them se pamë se ka vështirësi të bllokojë në një kundër një”, përfundoi ish-trajneri duke pasur parasysh duelin mes anësorit të Milan me bardheziun Chiesa, autor i dy golave.

“Ndaj Milanit fituam si skuadër”

Shumë i rëndësishëm për Juven Federico Chiesa, i cili tundi dy herë rrjetën dhe ishte vazhdimisht i rrezikshëm. Pas ndeshjes 23-vjeçari foli për mediet italiane dhe u duk modest dhe me këmbë në tokë pas asaj super paraqitje.

“Jam mirë, kam pasur vetëm një problem në ijë, pa dëmtime muskulore, nesër të jem shëruar. Nuk vrapova shumë shpejt, i thashë trajnerit se nuk mund të vrapoja shpejt dhe ai bëri zgjedhjen e tij. Më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, është vazhdimësia e paraqitjeve.

Edhe nëse nuk shënon, duhet të luash mirë, duhet të japësh gjithçka. Dhe golat janë rezultat i kësaj. Trajneri më kërkon të shfrytëzoj hapësirat sepse lojtarë si Dybala dhe Ronaldo shohin gjëra, që të tjerët nuk i bëjnë. Ata kërkojnë diçka më shumë se zakonisht. Përgjegjësitë janë më të mëdha.

Unë jam gjithmonë bujar në fushë, gjithmonë përpiqem të ndihmoj ekipin edhe në mbrojtje. Jam shumë i lumtur sepse në pjesën e parë, kur ata na sulmuan, ekipi vuajti së bashku. Sot është një rezultat i shkëlqyer kolektiv, jemi vërtet të lumtur”, u shpreh anësori.