600 mijë vaksinime kundër Covid në vend. Lajmin e njoftoi vet kryeministri Rama nëpërmjet rrjeteve sociale, teksa përsëriti objektivin prej 1 milion të tillash në vend.

Ndërkohë statistikat konfirmuan dje vetëm 1 viktimë dhe 57 të infektuar të rinj. Në 24 orë janë shëruar 963 persona.

PD ankimoi rezultatin e zgjedhjeve në 8 qarqe

PD ankimoi dje në KQZ rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit në të gjitha qarqet ku nuk doli fituese.

“Procesi i 25 prillit ishte një masakër elektorale e orkestruar dhe zbatuar nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi”, thanë përfaqësuesit e kësaj force politike teksa depozitonin faktet e mbledhura.

“Viktimat e kësaj masakre elektorale janë shqiptarët dhe familjet e tyre, vijoi reagimi zyrtar. Detyra e Partisë Demokratike është të qëndrojmë fort dhe të vendosur dhe të luftojmë me të gjitha fuqitë për kthimin e demokracisë në vend.

Pas Beratit, LSI ankimon rezultatin e zgjedhjeve në Durrës

Edhe LSI iu drejtua dje KQZ për të dytën herë brenda ditës. Ajo ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Durrësit pasi e kishte bërë diçka të tillë gjatë ditës për Beratin. Sipas ankimimit, LSI kërkon një rinumërim dhe rivlerësim të votave në të gjitha KZAZ-të e qarkut. Përfaqësuesit e saj thanë se janë konstatuar që ne disa QV në Durrës janë gjetur fletë votimi pa vulë.

Natë e përgjakshme në Amerikë

Një person ka hapur zjarr në Kolorado gjatë një feste ditëlindjeje mbrëmjen e djeshme, ku i mori jetën 6 personave, përfshirë edhe të dashurën e tij dhe më pas qëlloi veten.

Lajm i mirë, sipas policisë është se atentatori nuk ka qëlluar mbi fëmijët e pranishëm.

Pak me vonë në Feniks të Arizonës, në një hotel në qendër të qytetit, një person vdiq dhe të paktën shtatë të tjerë u plagosën.

Sipas policisë një mosmarrëveshje që përfundoi në tragjedi, gjatë një ngjarjeje në të cilën merrnin pjesë njerëzit e përfshirë në aksident, të gjithë të moshës midis 18 dhe 22 vjeç ishte motivi i ngjarjes.

Sulm tjetër me bombë në Afganistan, 11 nxënës humbin jetën

Pas atentatit në një autobus shkolle që i mori jetën 58 personave një i dytë ndodhi mbrëmjen e djeshme. 11 nxënës shkolle raportohen viktimat në një shpërthim në jug të vendit.

Sulmi erdhi vetëm disa orë para se talebanët të shpallnin një armëpushim tri-ditor për Bajramin e Madh, festën që festohet këtë javë dhe shënon fundin e muajit të Ramazanit.

“Le të lutemi për të pafajshmit që humbën jetën në mënyrë aq tragjike ishte apeli i Papa Françeskut për besimtarët.

Merkel në samitin e Portugalisë: Pushimet verore nuk mund t’u ndalohen të pavaksinuarve

Pushimet verore me shumë gjasë nuk do u ndalohen as personave të pavaksinuar. Këtë pohoi në samitin e Portugalisë, kancelarja gjermane Angela Merkel sipas të cilës incidenca e ulët që po shfaqet në shumë vende flet për një skenar optimist për popujt e Evropës. Në fjalën e saj Merkel u ndal edhe tek hapja e vendeve teksa u kërkoi të bëjnë kujdes, pasi kjo mund të hedhë në erë mundin e gjithë këtyre muajve.

Milani triumfon në Allianz Stadium kundër Juventusit

Milani i ka dhënë një goditje të rëndë Juventusit në Allianz Stadium, teksa ka triumfuar me rezultatin e pastër 0-3. Në pjesën e parë, e cila ishte thuajse e barabartë, vendosi një gol i shënuar nga Diaz. Në pjesën e dytë pritej një reagim nga Juventusi, por nuk ndodhi kështu. Skuadra e Pirlos ishte e pafuqishme të thyente mbrojtjen kuqezi në këtë sfidë. Në anën tjetër, Milani realizoi edhe dy herë të tjera, me Rebic e më pas Tomori vulosi rezultatin në 0-3. Me këtë fitore, Milani ka hedhur një hap të sigurt drejt rikthimit në Champions League, ndërsa Juventusi është tashmë 3 pikë prapa, duke e vënë seriozisht në diskutim zonën Champions.

Reali i Madridit merr një pikë në barazimin me Sevilla

Reali i Madridit duhet të merrte me patjetër fitoren në ndeshjen e kësaj të diele ndaj Sevilla, por në fund, skuadra e Zidane duhet të jetë e kënaqur edhe me një pikë, në takimin e mbyllur 2-2. Fernando kaloi Sevillan në avantazh në fundin e pjesës së parë, ndërsa Asensio riktheu baraspeshën me nisjen e të dytës. Reali u hodh në sulm për golin e fitores, por Rakitic shënoi edhe golin e dytë për Sevilla-n. Në minutat shtesë, Hazard realizoi një devijim perfekt të goditjes së Kroos dhe topi përfundoi në rrjetë, duke bërë që dy ekipet të ndanin nga një pikë në këtë takim.