Koronavirusi po kthehet jo vetëm në një sëmundje vrasëse, por edhe depresionuese për pacientët. Rreth një muaj pas ngjarjes tragjike ku një 29-vjeçar u vetëvra duke u hedhur nga kati i tretë, një tjetër pacient është flijuar mbrëmjen e djeshme në Spitalin Covid-2, “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë.

Sipas informacioneve zyrtare të Policisë, një pacient me koronavirus është hedhur nga kati i katërt i spitalit dhe për pasojë gjeti vdekjen në vend. Viktima bëhet me dije se është 65-vjeçari Hasan Mira, nga Klosi i Dibrës, që ishte i shtruar në spital rreth dy ditë më parë, pasi ishte diagnostikuar me koronavirus.

Fakti që është prekur nga sëmundja infektive dhe nënshtrimi në terapi në ambientet e spitalit, ku situata për shkak të pandemisë nuk është aspak normale, duket se kanë ndikuar së tepërmi në gjendjen shpirtërore dhe psikologjike të të ndjerit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 20:00 dhe dyshimet paraprake janë që shkak i flijimit të ketë qenë depresioni i pacientit 65-vjeçar nga Klosi, i cili merrte trajtim në këtë spital.

“Rreth orës 20:00 të mbrëmjes së mërkurë, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një spitali shtetasi H.M., 65 vjeç dhe për pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Tiranës.

Mësohet se Hasan Mira ishte vjehrri i Gjetan Gjetani. Ky i fundit ka qenë më parë deputet i Partisë Socialiste, por pas përjashtimit i është bashkuar LSI-së.

Më datë 13 gusht, një i ri në gjendje të rënduar psikologjike u hodh nga ky spital, ku fatkeqësisht ndërroi jetë.