Prindërit nuk do ta kenë të nevojshme këtë vit të paraqiten fizikisht në shkollë për të tërhequr dëftesat e fëmijëve të tyre.

Mjafton të logohen në portalin e-Albania dhe dëftesat do të printohen në kohë reale.

Duke nisur nga java e ardhshme, vlerësimet përfundimtare do të merren online.

Drejtoresha e shkollës “Jeronim De Rada“ Entela Alushi sqaron se “vënia në përdorim këtë vit e sistemit elektronik SMIP ku çdo notë apo vlerësim është hedhur elektronikisht në platformën e- Albania ka mundësuar edhe tërheqjen e dëftesave në këtë formë”.

Dëftesa është e pajisur me gjithë elementet e saj pa qenë e nevojshme t‘i rikthehesh institucioneve shkollore për ta vulosur apo firmosur.

Me vënien në funksion të sistemit SMIP, mësuesit kanë hedhur në përfundim të mësimit të gjitha vlerësimet, mungesat apo shënimet për arritjet e nxënësve, duke bërë një punë përgatitore edhe nxjerrjen e rezultateve përfundimtare, ndërsa menaxhimi i të gjithë informacionit është bërë nga qendra e shërbimeve arsimore.