Gentian Mullai u shpreh se informacioni i dhënë është bazuar në të dhënat e marra nga punonjësi i policisë që ka qenë në vendngjarje

Gentian Mullai, zëdhënësi i Policisë së Shtetit ka pranuar për herë të parë në Newsroom në Dosja.al me Fjola Graçin se informacioni i dhënë se arma e gjetur në vendngjarje i përkiste Klodian Rashës, ishte i gabuar. I ftuar në studio, Mullai u shpreh se informacioni i dhënë është bazuar në të dhënat e marra nga punonjësi i policisë që ka qenë në vendngjarje. Sipas Mullait, arma u gjet, por gabimi i Policisë së Shtetit ishte se pronësinë ia faturoi të ndjerit Rasha pa bërë verofikimet e nevojshme.

“Në lidhje me ngjarjen e rëndë ku humbi jetën Klodian Rasha, Policia e Shtetit ka dhënë 2 informacione. Informacionin paraprak në momentin që ka ndodhur ngjarja, 30 minuta më vonë, i mbledhur nga informacionet e para në vendngjarje si për çdo ngjarje tjetër. Informacion i mbledhur nga punonjësit e Policisë në vendngjarje. Punonjësit e Policisë na kanë thënë që ka ndodhur ‘kështu, kështu’ dhe ne kemi dhënë njoftim. Disa orë më vonë gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një armë zjarri. Policia ka dhënë një njoftim se është gjetur një armë zjarri. Të vetmin gabim që kemi bërë ne, është se arma i përkiste të ndjerit Klodian Rasha. Por ne e dhamë këtë informacion bazuar në informacionin paraprak që morëm nga punonjësi i Policisë,”- tha Mullai.

Klodian Rasha u vra nga polici Nevaldo Hajdaraj mëngjesin e 8 dhjetorit 2020 përpara banesës së tij. Asokohe pati akuza se Policia e Shtetit manipuloi ngjarjen. Akuza të cilave iu përgjigj për herë të parë në Dosja.al, Gentian Mullai.