Policia shqiptare dhe ajo italiane dolën në një deklaratë të përbashkët për mediat këtë të mërkurë në lidhje me operacionin ndërkombëtar kundër trafikimin të klandestinëve, i shtrirë në Itali, Greqi, Shqipëri, e disa shtete të tjera të Europës.

Në sajë të këtij operacioni u ekzekutuan 47 masa të sigurimit personal të miratuar lidhur me hetimet e zhvilluara në kuadër të kësaj skuadre.

Në konferencën e përbashkët, autoritetet italiane bënë të ditur se në shtetin fqinj vepronin dy grupe kriminale. Ai në veri të Italisë drejtohej nga dy vëllezër, të cilët arrinin t’i shmangeshin policisë duke përdorur identitete të rreme.

“Në Itali u zbuluan dy grupe kriminale, një në Bari, ku u kryen 5 arrestime dhe tjetra në veri të Italisë, e cila përbëhej nga dy vëllezër, rezidentë në Veneto. Ata përdornin emra të rremë dhe arrinin t’i shpëtonin autoriteteve. Ata ishin në kërkim në disa vende të Europës, mes tyre Austri e Gjermani. Hetimet e zhvilluara me teknika të përparuara na bënë të mundur të identifikonim këto persona.

Një detaj tjetër ka të bëjë me bashkëpunimin e ndërsjellët me forcat e tjera policore dhe EUROPOL-in. Kemi arritur të zbulojmë kanalet financiare të përdorura. Kemi arritur të kuptojmë pagesat që kryheshin nga njerëzit që varionin në funksion të itinerarit që do të shkonin, ato varionin nga 5 mijë në 10 mijë euro”, bën të ditur autoritetet italiane.

25 urdhra-arrestimi vetëm në Shqipëri

47 persona, nga të cilët 25 vetëm në Shqipëri, janë vënë në pranga gjatë një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore nga vendet e Lindjes së Mesme drejt Bashkimit Europian.

Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në disa shtete nën drejtimin e një skuadre të përbashkët hetimore e krijuar midis autoriteteve gjyqësore dhe ligjzbatuese të Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë.

Gjatë hetimeve është dokumentuar se pjesëtarët e 4 grupeve kriminale, nga të cilët 2 në Itali, një në Shqipëri dhe një në Turqi, në bashkëpunim ndërmjet tyre kontrabandonin persona të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim vende të tjera të BE-së.

SPAK në një njoftim për mediat ka zbardhur edhe mekanizmin e kësaj veprimtarie të paligjshme, ku pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 000 deri në 10 000 Euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke ju mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.

7 prej këtyre episodeve janë dokumentuar nga hetimet e kryera në Shqipëri, në qytete si Tirana, Korça, Gjirokastra, Elbasani, Fieri, Vlora dhe Saranda.

Pas kërkesës së paraqitur nga SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme është urdhëruar arrestimi i 25 personave, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, nga të cilët 18 janë shtetas shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj.

Gjithashtu gjatë këtij operacioni të zhvilluar në vendin tonë janë sekuestruar mjete skafe, një anije velierë, automjete, e sende të ndryshme.