Një rast i rrallë është shënuar këtë të shtunë në Kosovë. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u lind një foshnje me peshë rreth 6,5 kilogramë.

Lindja e një foshnje me një peshë të tillë përbën një rast unik në historinë e Klinikës së Gjinekologjisë. Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se lindja e foshnjes është kryer me sukses me anë të operimit.

“Mes vështirësive, të cilat i ka krijuar pandemia COVID-19, sidomos ditëve të fundit, një ekip i përbërë nga gjinekologë, anesteziologë dhe mami, realizuan suksesshëm lindjen me operacion”, thuhet në njoftim.

Pacientja me inicialet I.P. nga Drenasi edhe dy lindje më parë i ka kryer me anë të operacionit.

Nëna dhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësore.