Pesë anëtarët e Komisionit Rregullator nuk arritën të gjenin dakordësinë për miratimin e projektvendimit që kufizon aktivitetet qeveritare katër muaj përpara datës së zgjedhjeve. Shkak u bënë disa amendamente të paraqitura nga Partia Demokratike, e cila kërkoi që ekzekutivit t’i ndalohej jo vetëm promovimi i investimeve strategjike, në infrastrukturë apo shtëpi të dëmtuara nga tërmeti, por edhe mbështetja e tyre, përfshirë edhe atë financiare.

Shtimi i termit “mbështetje” duket se prishi dakordësinë e ndërtuara paraprakisht ndërmjet palëve me draftin fillestar të paraqitur nga Ilirjan Celibashi, i cili nuk i kishte pëlqyer as vetë socialistëve, por ishte pranuar në kuadër të marrëveshjes politike.

Drafti i KQZ: “Për sa parashtrohet në objeksionet e PS, shprehemi se ky projektvendim nuk cenon liritë dhe të drejtat politike. Ndalimi i disa veprimtarive të përcaktuara në këtë vendim, bëhet me qëllim parandalimin i veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të institucioneve qendrore dhe vendore, të cilat në të shkuarën kanë qenë objekt i keqpërdorimit të pushtetit dhe vënies së tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në shërbim të zgjedhjeve”.

Demokratët në qëndrimin e tyre ishin edhe më radikalë duke kërkuar që katër muaj nga data e zgjedhjeve të ndaloheshin Koncesionet, PPP, emërimet apo shkarkimet në administratë e deri tek çështje të mprehta si rindërtimi. Me ngërçin e krijuar, munguan të paktën 4 vota pro për miratimin e vendimit që kërkon shumicë të cilësuar, duke detyruar Komisionin Rregullator të shtyjë mbledhjen për të mërkurën.