Nga Blerina SHALARI

Gëzuar, o ti fisniku Rom,
që mbulojë ke qiellin, dhe shtrat tokën e njomë!
Gëzuar, edhe ti plaka fatkeqe e rrugës së Kavajës,
që këmbën e fsheh, se s’ke ç’i bën floknajës,
së shiut të dendur, se koha është e çmendur!
Pas teje festa, s’ka kohë për të rendur.

Gëzuar!, ti student, që mëson si kamarier,
se si t’i mbash cigaren atij që do bjerë,
ngordhur mbi kafe, po ty të hedh ca llafe,
lekët i futi të gjitha në xhep,
ndaj ty nuk ka ç’të jep,
dhe ti qan i strukur në një cep,
se koha për mësime nuk të del,
mbi libër të derdhet, kokteili kaçurel.

Megjithatë, s’më kursehesh me gëzuar,
ti luleshitëse, që t’u thanë ato duar,
përzier me të ftohtin që përkthehet: varfëri,
se lulet e thara s’ti blen asnjeri,
pas teje vetëm ti.

Gëzuar, gërrnetari i sheshit Skënderbej!
Veç bustit dhe teje, askënd s’dua të gjej,
në rrugën që kabaja në dasmë e kthen,
prej lojës së saj s’ka tjetër refren,
dhjetë lekëshi nga dora e kursyer të vjen,
një vit më të plakur, të gjen.

Gëzuar edhe ti, që del nga Sheratoni!
Ty, që dy mijë euro të bën telefoni,
sa mirë që s’ka shpirt, se ndryshe do të thyhej,
për zotërinë tënde po bijen ca fyej.
Është varfëria, që ashpër të padit,
po s’ndjen më veshi yt.

Më në fund, gëzuar, gjithë bijve të Zotit!
Gëzuar, sa të më thahet rrëkeja e lotit!
Ajo e ka fajin që ulem edhe shkruaj,
për varfërinë që bredh përmbi kuaj,
të jetës që bren, e prehje nuk gjen,
po si nuk u lodh, me të njëjtin refren?!