Nga Virgjil KULE

Sa herë u vjen koha fiqve të parë kujtoj këtë etyd që e pata shkruar dikur:

 

Hajde fiq!

Fiq! I provova. U mrekullova. Fiq vape, fiq zhegu, të mbledhur në freskinë e mëngjesit. Të butë, por ende me lekurë të pa zgërlaqur. Të ëmbël sa s’ka ku të vejë më. Asnjë çarje që të paralajmërojë fillimin e thartimit të shpejtë. Asnjë rrjedhje lëngu përzjerë me farëza të verdha, shenjë e sigurtë se do të ta ngërdheshin fytyrën. E megjithatë të pjekur. Në masën e duhur. Mund t’ia xhveshësh lëkurën pa i ndotur duart. Mund ta shtypësh pak dhe shenja e shtypjes të zhduket shpejt. Mund ta kullufitësh gati pa e përtypur. Eh, fiku! Duket që në sy, i shkreti. Frut i sinqertë! Ai nuk bën kompromise estetike me cilësinë e tij. Nuk i bëhet make-up që të duket i freskët kur nuk është i tillë. Ç’mban brenda e tregon nga jashtë. Është nga ato pak fruta vendi me të cilat është e pamundur të bësh marifete. Prandaj edhe sezonet i ka kaq të shkurtër, si çdo gjë tjetër që shijon.
Lum ata që kanë dy rrënjë fiq atje, te fundi i oborrit!

Vrgj.