SPAK ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku ka dhënë detaje sa i takon 21 urdhër-arresteve të lëshuara. Prokurori Vladimir Mara deklaroi se hetimi është bërë në bashkëpunim me palën italiane, ndërsa shtoi se grupi kriminal trafikonte lëndë narkotike.

Mes të tjerash Mara tha se nga 21 masa sigurimi personal, 20 u ekzekutuan, duke shtuar se një person është në kërkim ndërkombëtar.

Po ashtu u bë e ditur se SPAK ka kryer dhe hetim pasuror për anëtarët e grupit kriminal, ku transportimi i drogës bëhej me kamion.

“Janë vendosur 21 masa sigurie. Janë sekuestruar mjete luksoze, pajisje kompjuterike etj. Më e rëndësishmja është që të gjithë sekuestrimet e lëndëve narkotike janë kthyer në territorin e Shqipërisë. Kemi bërë edhe hetim pasuror për të gjithë anëtarët e grupit kriminal. Ka edhe persona që i është komunikuar edhe një masë e dytë sigurie sepse kanë qenë të prangosur. Hashashi ishte me origjinë nga Siria, heroina nga Turqia; ndërsa kokaina nga vendet e origjinës, me destinacion vendet e BE. Nuk kemi konstatuar episode kultivimi kanabisi në vendin tonë.”, tha ai.