Satirë nga Fatbardh AMURSI

 

Dikur e mbanin për kompetent, si çimentues fitoresh. Edhe pse e pëshpërisnin: “pa shtyllë kurrizore”, ai nuk rrëzohej. Frazat që përdorte ishin të llojit parafabrikat. Nëse e dëgjoje, pa kuptuar, të kapte ndjesia e futjes në allçi dhe, s`të lëshonte frika mos po të ngrinin gjymtyrët. Edhe pse s`pritej asgjë e re prej tij, veshët i mbanin ngrehur kur ai fliste. “E ka thënë ai” dhe quhej punë e mbaruar. Një i ngecur, ku ngecje kollaj. Ty të dukej ulje të bije në nivelin e një rrëmbydhje, të shijeve bajate të një asketi, ja që ty s`të varte kush, sikur mrekullira të nxirrje nga goja. Shabllonet, klishet, i gjithë procesi i ngurosjes së tij finalizohej me dogmën. Ajo merrej dhe i jepej për ushqim popullit. Gradualisht po njihej, si çertifikues vlerash. Njësoj si t`i besoje një peme dekorative të gjykonte ato frutore. Një mbledhje buzësh e tij, ishe i skualifikuar. Si mundet që: një i paqenë, të merrej si i mirëqenë? Jemi në kohë rreshtimesh, që pëfundoi në radha të gjata para furrit të bukës. Ai që mbahej me brumë, vazhdonte të thoshte fjalë pa bereqet, por himet të njiheshin ty. Kalçifikuesi u hedh trutë e gomarit dhe atyre u mjafton pëllitja.
Për ta kalçifikuar gjënë, së pari i duhej hequr fryma, ndaj ai i njihte teknikat e balsamosjes, si dhe të dyllosjes. Nëse dëgjoje të ankoheshin se “s`ka frymë”, ishte ai që ua merrte frymën. Kalçifikuesi i kishte dalë nami se kish Ngrirë Krushqit, duke i kërcënuar dasmorët me “ngrirje të buzëqeshjes”. (Që romani “Dasma” e Kadaresë s`bëri hajër, ky e mallkoi.) Fillimisht, më është dukur si figurant, si lojtar stoli, si shtojcë e dikujt, jam tallur me të sa më ka dash qejfi, por një ditë më futi datën, kur më tha: “Rri urtë ti i Muharremit, se të bëra pliko dhe në kasafortë ke për ta mbajtur frymën!” Kur më përmendi “frymën”, kaq e pata, thashë me vete. Se si katapultohej dhe veç kur e shihja përherë para vetes, pikërisht këtë demode, që s`denjoja t`ia hidhja sytë. Më rrofshin librat, pasi në to: ai shihte molepsejen time, duke më hapur namin se unë prej tyre merrja “frymën e keqe”. Kush binte erë dhe kujt duhej t`i largoheshin?! Kështu që ky i pashpirtë mbeti pikë reference për t`i ndarë fakirët në “frymë të keqe” dhe qafirët në “frymë të kohës”. Një me afate të skaduar po mbahej për avenguardist. Fotoja i zbardhej në tabelën e nderit. Fletat e lavdërimit dhe çmimet ishin të abonuar tek ai. Sikur ta kishte marrë zoti para `90-tës, jastekun e kuq do e kishte të mbushur me dekorata. Ky jastek do i kthehej më pas në “air beg”. Dhe në kohën e re, ishte ai i pari që e bëri sefte titullin “Qytetar Nderi”. Kur presidenti hapi thesin e dekoratave kalçifikuesin e shpalli: “Nderi i kombit”. Dhe nderi, si e vetmja gjë ku mund ta sfidonim, na e mori badjeva?! “Me nder jush, e mora dhe këtë titull”, do u thoshte të gjithë atyre, që e llogarisnin për të vdekur. Meqë s`i dilte inati që, disa si puna ime, s`e kishin pranuar gjithë jetën, do lëshonte mallkimin: “Lëpirës të pushtetit, kujtuat se mora fund dhe më largoheshit, sikur të kisha zgjeben! Oborrtarë e puthadorë të regjimit, çdo gjë mund të rrëzohet në këtë vend, por jo një si unë!” Ky ishte triumfi i njeriut, që na kishte marrë frymën, i cili i mori të gjitha pa dhënë asgjë.
-E njeh gjë këtë kabanë?-tjetri bëri me kokë në drejtim të njeriut të heshtur, që rrinte rënd në presidium.-Dikur këtij i qe hapur nami se “të vriste me pambuk”. Por, që kur humbi fara e pambukut, po i thonë: “ky të vret me heshtje”.
-Pse s`thua që prej tij qënkan shpikur armët me selinciatorë?!-Një i heshtur si ky na kishte mbyllur gojën.
-Akoma vazhdon t`i nënvleftësosh ata, që janë në gjendje të ngrijnë dhe kohën, duke na kthyer në vitin zero?!
Në presidium kalçifikuesi tundëte kokën, duke miratuar çdo fjalë të shefit, i cili fliste për “shtigje të reja”, që s`i shkeli kurrë.

______

Shënim: Në postimin e radhës një sprovë letrare për romanin e Ben Blushit “Komploti”.