Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Vlorë, një takim me një përfaqësi shtetas italianë që kanë vendosur të jetojnë në Vlorë dhe kanë kërkuar të anëtarësohen në Partinë Socialiste.

Gjatë bashkëbisedimit, italianët treguan historitë nga jeta dhe puna e tyre, të cilën me shumë dëshirë e kanë zhvendosur nga Italia në Shqipëri dhe pikërisht në Vlorë.

Ata ndanë mendimin e përbashkët, që janë shumë të kënaqur që jetojnë në Vlorë dhe shprehën interesin në rritje, edhe për të kontribuar në zhvillimin e bizneseve apo aktiviteteve të ndryshme ekonomike në Vlorë.

Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij, u shpreh se “unë e kam pasur një pjesë të rëndësishme të fëmijërisë time në Vlorë. Në pushimet e verës vija çdo vit, në një shtëpi jo larg prej këtej dhe kam pasur mundësi të bie në kontakt me kulturën italiane, sepse biblioteka e gjyshit tim ka qenë plot me libra italianë, që ishin koleksion i tij”. E kështu, vijoi Rama, italishtja më ka ardhur si një gjuhë e dytë, pasi gjyshja ime e fliste gjuhën italiane.

“Është kënaqësi për mua të shoh italianë që zgjedhin Shqipërinë dhe sidomos Vlorën, jo vetëm për biznes por edhe për të jetuar”- u shpreh kryeministri Rama.

“Të moshuarit vijnë e rrinë këtu edhe rinohen”, tha Rama, ndërsa citoi njërin nga përfaqësuesit italianë, që tha se “duam edhe të anëtarësohemi në PS”.

“Do të vijë koha edhe për ata që duan të qëndrojnë më gjatë në Shqipëri, që dhe ata të marrin shtetësinë”, tha Rama.

Duke u ndalur në zhvillimin e qytetit, kryeministri tha se, “Vlora ka bërë hapa të jashtëzakonshëm që nuk përfytyroheshin më parë. Askush nuk e mendonte që qyteti të transformohej në këtë mënyrë”.

Ai u shpreh se “ju jeni më shumë se 30 vetë që do të bëheni anëtarë të PS, por këtu jemi të detyruar të jemi vetëm 10 persona, (për shkak të situatës së pandemisë), për ta formalizuar këtë nismë shumë të bukur tuajën”.

Gjatë bashkëbisedimit një qytetar italian u shpreh se ishte muzikant dhe kishte vendosur që ditët e fundit të jetës t’i kalojë në Vlorë. Ai shprehu dëshirën që Vlora e Shqipëria të zhvillojnë edhe turizmin dimëror.

“Unë jam një muzikant, kam vendosur që të kaloj vitet e fundit të jetës sime në Vlorë. Kam qenë në Europë me turne të ndryshme, në Azi, Bangkok, në Afrikë etj. Vërtet që Shqipëria është një vend i bukur, ku mund të kalosh shumë mirë dhe ne duam që të ketë sa më shumë turistë në vendin tuaj, edhe në dimër e stinë të tjera këtu në Vlorë, jo vetëm në verë”, tha qytetari italian.

Rama falënderoi të gjithë të pranishmit, duke thënë se energjia pozitive në Vlorë i jep më shumë besim se gjërat në Shqipëri do bëhen më mirë.

“Në Tepelenë është një fshat që quhet Nivicë, ku mundësitë për turizëm janë shumë të mëdha. Ne do të rrisim turizmin në Vlorë, ju jeni burim që duhet shfrytëzuar. Për ne është kënaqësi dhe dhurata që na bëni. Ju falënderoj shumë, ishte e këndshme të flas me ju, të dëgjoja idetë tuaja e të ndjej energjitë e juaja pozitive”, u shpreh kryeministri.