JP Morgan është vendosur të marrë përsipër bankën me probleme amerikane “First Republic” në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga rregullatorët.

Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave (FDIC) konfirmoi në një deklaratë se “First Republic” kishte kolapsuar të hënën.

Gjiganti bankar i investimeve JP Morgan tani do të marrë “të gjitha depozitat dhe në thelb të gjitha aktivet e “First Republic Bank”.

“First Republic” bëhet banka e tretë e madhe amerikane që kalon në kolaps muajt e fundit.

Aksionet e huadhënësit me bazë në San Francisko ranë me më shumë se 75% javën e kaluar pasi zbuloi se klientët kishin tërhequr 100 miliardë dollarë (79.6 miliardë £) depozita në mars.

Kjo pason kolapsin e Silicon Valley Bank (SVB) në mars, i cili shkaktoi frikën për një krizë më të gjerë bankare.

Kjo u pasua me shpejtësi nga humbja e një tjetër huadhënësi amerikan, Signature Bank.
Një ikje depozitash nga huadhënësit amerikanë ka detyruar Rezervën Federale, bankën qendrore të SHBA-së, të ndërhyjë me masa urgjente për të stabilizuar tregjet financiare.

Në mars, një grup prej 11 bankash amerikane dolën përpara për të derdhur 30 miliardë dollarë në “First Republic” në një përpjekje për të stabilizuar biznesin, por përpjekjet rezultuan të kota.

E themeluar në vitin 1985, “First Republic” është një huadhënës amerikan i madhësisë së mesme, i ngjashëm me SVB. Për vite me radhë, ajo ka joshur klientë të pasur, paratë e të cilëve ishin në rrezik përpara se të shpallej marrja e blerjes pas një fundjave negociatash.

Kushtet e blerjes së “First Republic” nga JP Morgan nuk dihen ende.