Antonio Konte, pas humbjes në finalen e Ligës së Europës me Seviljen, për të disatën herë ka hedhur dyshime të forta për qëndrimin tek Interi. “Pasi të kthehemi në Milano, do të marrim disa ditë pushime. Duhet të takohemi me mendje të ftohtë dhe të bëjmë bilancin e sezonit në mënyrë shumë të qetë. Do të planifikojmë të ardhmen e Interit me apo pa mua. Mund të kemi ide të ndryshme”, – tha trajneri italian për Sky Sport pas ndeshjes.

Konte saktësoi se për të ka qenë një sezon shumë i bukur dhe i falënderon të gjithë drejtuesit e Interit për mundësinë që i kanë dhënë. Megjithatë, fjalët e tij lënë të kuptohet se ai po mendon largimin. “Qëndrimin tim do ta bëj të ditur kur të jem gjakftohtë. Për të ndërtuar diçka të rëndësishme duhet harmoni. Mendoj se kam dhënë dhe kam marrë shumë, ndaj jam i kënaqur, por disa situata që kam kaluar nuk më kanë pëlqyer. Kam një familje dhe duhet të kuptoj, nëse përparësi për mua do të jetë futbolli apo jo, sepse gjithçka ka një limit”, – është shprehur më tej Konte.

Alegri dhe Konte. Gazeta Si, 22 gusht 2020

Shumë shpejt trajneri do të ketë një takim me presidentin Zhang. Ndoshta ky takim do të zhvillohet të hënën dhe më pas do të jetë më e qartë situata me Konten. Nëse palët ndërpresin bashkëpunimin, emri i parë që qarkullon për të marrë drejtimin e Interit është ai i Masimiliano Alegrit, ish-trajnerit të Juventusit. Nëse ndodh kështu, do të përsëritej historia e disa viteve më parë, kur vendin e Kontes te Juventusi e merrte pikërisht Alegri.