Teksa Kryeministri Edi Rama e shigjetoi opozitën si kope të infektuar nga budallallëku, kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj kërkoi që të merren masa për kreun e qeverisë.

Ai shprehu keqardhje për gjendjen mendore të Kryeministrit, duke kujtuar kodin e sjelljes në Parlament.

“Ky kod thotë se duhet sanksionuar deputeti që flet me këtë gjuhë. Duhet sanksionuar, pavarësisht se është ulur poshtë jush. Për historinë e budallenjve këtu ka dhe shumë të rinj, se kur ishin të ulur këtu, ka një të dhënë. Ikonat kur ishte ministër i mori dhe i çoi në Gjermani dhe nuk u kthye kurrë më. Pres nga ju që të merrni masa ndaj Ramës”.

Në replikë ndaj Alibeajt, Rama deklaroi se nuk i tha askujt që është budalla.

“Unë iu thashë keni budallallëkun sëmundje ngjitëse në kopenë tuaj. Nëse e ndjeni veten dele, ku është problemi juaj. Këto janë mënyra të të shprehurit. Nëse do të hyjmë te gjuha parlamentare, ju nuk duhet të hynit në parlament më kurrë, sepse ju nuk thoni thjesht fjalë fyese, por shani me fjalë që përbëjnë akuza.

Mua nëse dikush më thotë je budalla, nuk kam problem, është opinion, nëse më thua kriminel, e kam problem, sigurisht që kam problem, kriminel, hajdut, etj., etj.  Përsëri zoti Alibeaj ti provove se je e njëjta gjë me të cilin medemek je kundërshtar sot. Se ti the se unë kam çuar ikona në Gjermani dhe ikonat kanë humbur. Këtë e ka thënë ai.

Prandaj nuk ju voton njeri, ndaj ai i vdekur komplet, u çua dhe iu vuri përpara, se njerëzit nuk shohin dallim mes jush. Ndaj njerëzit thonë më mirë të shkojmë pas tij se ky është origjinali, ju jeni kopje e tij”.