Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Arben Shehu raportoi në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë Raportin e Performancës së institucionit për vitin 2022

Kryetari i KLSH-së në fjalën e tij theksoi përmbushjen me sukses përgjatë vitit 2022 të planit të auditimeve në përputhje me kërkesat e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit (ISSAI-t), Manualeve të auditimit, si dhe Rregullores së procedurave të auditimit, duke u bazuar në vlerat universale të SAI-ve si pavarësia, profesionalizmi, integriteti dhe transparenca, si dhe realizimin e rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë.

Raporti vjetor i veprimtarisë së KLSH-së, përmbledh gjithashtu realizimin e një prej objektivave të Kongresit Ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit ku: “komunikimi i rezultateve të punës së kryer nga SAI-t për tema me rëndësi të veçantë, përforcon legjitimitetin e SAI-t brenda çdo vendi dhe kontribuon drejt rritjes së llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë.”

Z. Shehu shprehu bindjen e plotë, se vijimi i veprimtarisë audituese me përkushtim, me integritet, profesionalizëm, objektivitet dhe në përputhje me mandatin kushtetues, udhëzimet e Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, do t’i shërbejë mirëqeverisjes, nëpërmjet rritjes së përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, e cila ndikon drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë.

Në përfundim, Kryetari i KLSH-së ritheksoi se, gjithë sa është përmbledhur në Raportin e Performancës së KLSH-së nuk do ketë efektin e duhur nëse nga ana e vetë institucioneve nuk kthehet në kulturë të punës së tyre zbulimi dhe parandalimi. Kjo arrihet duke përmirësuar mekanizmat e një mbikëqyrjeje aktive dhe duke rritur angazhimin për të krijuar kulturën e ndershmërisë dhe sjelljen etike në punë, gjë që i përball zyrtarët me mundësi më të larta të zbulimit dhe ndëshkimit të tyre duke ulur mundësitë që ata të kryejnë veprime abuzive.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi gjithashtu rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2022”.