Debutoi me fanellën kuqezi në humbjen ndaj Lituanisë. Sigurisht, sikurse e pranon në konferencën për shtyp të Kombëtares, e kishte ëndërruar ndryshe, por Qazim Laçi do të ketë mundësinë të festojë me Kombëtaren me Kazakistanin apo Lituaninë. Mesfushori Ajaccio në Ligue 1, fillimisht u shpreh: “Do jetë interesant grumbullimi i lojtarëve të rinj. Ata kanë dhënë maksimumin, prandaj ndodhen këtu. Tani duhet ta tregojmë në fushë”.

Debutimi me humbje: “Debutimi me Lituaninë nuk ishte ai që kisha në mendje. Nuk u lidh me fitore dhe nuk u lidh me performancë të mirë për ekipin. Shpresoj të jem përherë titullar, por kjo zgjedhje i përket trajnerit. Gjithmonë do të jap maksimumin, në kombëtare dhe te klubi im”.

Përshtatja në skemën 3-5-2: “E zgjedh trajneri, ne lojtarët duhet të jemi gati të përballojmë sistemin, ta kalojmë në kokë dhe të mendojmë të japim maksimumin në fushë”.

Përvoja te Ajaccio: “Kampionati në Francë është shumë i mirë. Kam 4 vite, ndihem mirë me ekipin dhe nuk kam ndërmend të lëviz. E morëm pak më lehtë ndeshjen me Lituaninë. Të gjitha ndeshjet do të jenë të forta për të gjithë ekipet”.

Perspektiva e Shqipërisë: “Euro 2024? Trajneri ka zgjedhur lojtarë të rinj, kjo tregon se kemi shumë lojtarë. Ekipi e ka një shans shumë të madh tani, e kemi shansin edhe për Euro 2024. Por, duhet të japim maksimumin dhe të marrim fitore”.

Humbja me Lituaninë: “Është mësim për ne humbja ndaj Lituanisë, do t’i lexojmë më mirë ndeshjet e ardhshme.

Bisedat me Rejën: “Kemi komunikuar, më ka folur dhe më ka shpjeguar gjërat që pret nga unë. Më ka folur edhe për sistemin. Trajneri nuk ka shumë kohë të bisedojë me të gjithë lojtarët. Besoj se çdo lojtar, kur vjen këtu, është më i përqendruar për ndeshjet. Çdo gjë që thotë trajneri, duhet ta marrim sa më shpejt dhe ta tregojmë në fushë.”