8

Përreth Milan Kunderës ekziston një histori e këndshme, që, me sa di, nuk ka gjetur strehë në asnjë nga veprat e tij. Nga ana tjetër, mund të thotë dkush se shumica e veprave të Kunderës janë përsiatje rreth kësaj teme.
Kjo histori supozohet se ka ndodhur në të vërtetë, megjithatë, fjala është gjetkë. Shpreh një të vërtetë, që ka të bëjë me qëndrimin e artistit ndaj ngjarjeve, të cilat ngjajnë ose serviren si “madhore dhe të papërfolura” nga askush. Por harrojmë njëkohësisht se artisti mbart në vetëvete laboratorin personal shpërtëror, ku filtron çdo të vërtetë, sipas mënyrës dhe psikologjisë së tij dhe jo sipas diktatit apo oreksit të të tjerëve.
E kujtova këtë histori dhe meditova sa më sipër, ngaqë ka shpërrthyer tani së fundi diskutimi rreth kufinjve të lirisë së artit dhe nëse artisti ka të drejtë apo jo të shkelë edhe mbi normat tabu, të jetë pra, siç i thonë, “i parespektueshëm” ndaj normave të sanksionuara.
Le të konretizojmë: kur Milan Kundera la Atdheun e tij dhe u ngul në Francë, gazetarët perëndimorë i kërkonin në çdo rast këmbëngulshëm t’u rrëfente se si e kishte përjetuar pushtimin e Çekosllovakisë nga trupat e Traktatit të Varshavës, dominuar nga sovjetikët, atëhere kur tankset e “Ushtrisë së Kuqe”vyshkën dhunshëm “Pranverën e Pragës”, më 1968.
Kundera e dinte se prisnin prej tij një përshkrim melodramatik, që nga njëra anë do të shkaktonte simpatinë e natyrshme të lexuesve perëndimorë, por nga ana tjetër do të plotësonte steriotipin e propagandës antikomuniste. E kundërta analoge e asaj që ndodhte në kampin përballë, domethënë. Po t’i thjeshtëzoj paksa gjërat, do të shtoj se ajo që kërkonin nga Kundera ishte ajo çka kërkon sot çdo gazetar sportiv në Athinë prej futbollistit superstar Rivaldo, kur e pyesin se ç’ndjen kur shënon tashmë kundër “Olympiakosit”, duke qenë aktualisht futbollist i “AEK”-ut. Ç’të ndjente? Jeta vazhdonte. Puna e tij ishte të shënonte gola. Sikundër Kundera të bënte letërsi…
Veçse, duhet shënuar këtu, se një tip si Kundera, nuk kishte gjasë kurrë t’u plotësonte… “planin e punës”, për hatër të shitjes së gazetave. Sado të urryer të ishin për të sovjetikët dhe gjithë dhunuesit e tjerë të lirisë së popujve, nuk mund t’u mbante vazhdimisht “ison”. I shqetësuar nga ky steriotip i shumëpërsëritur, iu rrëfeu më së fundi një histori të brishtë dashurie, ndodhur në ato kohëra tragjike, për të cilën bëra fjalë ca më sipër…
_____

TRADHTI BASHKËSHORTORE
GJATË “PRANVERËS SË PRAGËS”

Në kohën e “Pranverës së Pragës”, Kundera kishte një dashnore (të satën? – do të pyesni ju, por kjo nuk ka dhe kaq rëndësi për një bohem të tipit të tij), dashuria e së cilës kishte filluar ta shqetësonte. Ç’ishte më e keqja, trembej mos e merrte vesh e shoqja. Kështu që vendosi t’i jepte fund asaj lidhjeje erotike, sa nuk ishin bërë më të zorshme gjërat. Rregulloi një takim me vajzën (s’do shumë mend, ajo ishte shumë më e re se ai…) dhe i shpjegoi sa më butësisht bëhej, se duhej ta ndalonin atë marrëdhënie. Siç ndodh zakonisht në raste të tilla, vajza vuri të qarat, pastaj e zuri një inat i papritur dhe i pa parashikuar. I tha se nuk do të shpëtonte ashtu lehtë prej saj dhe në fund e kërcënoi se do t’ia tregonte të gjitha gruas së tij. Katastrofi e plotë, domethënë. Por Kundera nuk kishte bërë pas, kishte përshëndetur vajzën, ishte kthyer në shtëpi dhe kishte rënë për gjumë. Ç’mund të bënte tjetër! Por mbante mend që gjumin e kishte bërë shumë të shqetësuar…
Në të gdhirë dëgjohen trokitje të egra në portën e jashtme. Kundera hidhet nga shtrati, i sigurtë që ishte dashnorja e tij. I ngrirë nga tmerri shikon të shoqen tek ngrihet nga krevati, duke veshur me nxitim pizhamet e saj, drejtuar nga porta e jashtme e shtëpisë. Zonja Kundera ishte në korridor, kur ai lë vetëtimthi krevatin, rend në banjo dhe kyçet brenda. Rri përsipër kapakut të mbyllur të wc-së, mbështjell kokën me peshqir dhe pret shpërrthimin e furtunës bashkëshortore.
Po ndodhte ajo pikërisht që përfytyronte. Pas pak, gruaja po trokiste me grushta portën e mbyllur të banjos. Kundera kishte ngrirë. Por e vendosi, le të bëhej ç’ishte shkruar, tani nuk mund të ndryshonte gjë! “Milan, hape derën!” dëgjon nga jashtë. Ai, as e hap, as përgjigjet. Pret të kalojë furtuna e parë. “Milan, hape, të them! – dëgjohet prapë e shoqja, më e egër tashmë. – Na pushtuan rusët! Praga është mbushur plot me tanksa sovjetikë! Po zien gjithë qyteti! Ti ç’ke që u mbylle atje?!”
Dhe Kundera përfundon rrëfimin e tij përpara gazetarëve: “Nuk e merrni me mend, miq, sa u lehtësova. Ato çaste më erdhi të bërtisja: “Faleminderit, të dashur pushtues!”
_____
Grigor Jovani