Nga Mero Baze

Rritja e Partisë Demokratike në sondazhe, ka shkaktuar një luftë të ftohtë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, për shkak se në çdo qark, përqindjet e rritura të PD, janë përqindje të zbritura nga LSI. Kjo është e qartë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier e kudo. Debati është nëse PD po i merr vota LSI-së, apo po rimerr votat e saj të humbura në vitin 2017?

Pretendimi i LSI-së se PD po merr votat e saj me pabesi dhe joshje të elektoratit të saj, nuk qëndron. Në të vërtetë, këtë gjë po e bën PS më shumë. Ajo po tërheq krerë të LSI-së nëpër rrethe dhe po i fut në PS, për të demoralizuar LSI-në.

Por gjëmën reale, LSI-së po ja bën PD-ja. Ajo po tërheq gjithë elektoratin që LSI i mori asaj në vitin 2017, përmes joshjes se ajo do të ishte në pushtet me çdo kusht, ose me PS, ose me PD. Kjo bëri që shumë votues të PD-së, që nuk shikonin shpresë tek fitorja e Partisë Demokratike më 2017, të kalonin me LSI-në.

Pasi kishte dy mandate në pushtet, njëherë me PD-në dhe një herë me PS-në, LSI ishte e besueshme si parti që nuk do ikte kurrë nga pushteti.

Fakti që PS fitoi e vetme më 2017, i la ata në rrugë dhe pa perspektivë pushteti, dhe kjo bëri që ata që kanë ikur nga PD, tani të kthehen sërish tek PD-ja.

Mbetja e LSI-së në këtë katërvjeçar në opozitë, ka qenë një leksion i hidhur për gjithë filozofinë e asaj partie, ngritur mbi faktin se ajo do të jetë gjithnjë në pushtet.

Në këto zgjedhje, retorika e egër e Metës kundër Ramës dhe pushtetit të PS-së në tërësi, e ka bërë të pashpresë perspektivën e një aleance të mundshme PS-LSI.

Vetë PD ka bërë kujdes që Meta të përdoret në ekstrem, qoftë dhe si i çmendur kundër PS-së, me qëllim që të mos lërë asnjë derë hapur për të ikur me ta, pas zgjedhjeve.

Pas kësaj, e vetmja derë ku mund të trokasin njerëzit e përdorur nga LSI, në zgjedhjet e shkuara, është PD.

Dhe kjo po bëhet me gjakftohtësi nga PD.

Në Qarkun e Gjirokastrës, ku mundësia që PD të orientojë vota për kandidatin e LSI-së, Vangjel Tavo, që të arrijë numrin e mjaftueshëm për të marrë mandatin, duket se po has rezistencë dhe vetë PD po heton mundësinë në zonën e Përmetit apo Lunxhërisë, se mos individë të veçantë të PD-së përfshihen në një operacion të tillë.

Kjo e ka rritur ndjeshëm nervozizmin e LSI-së ndaj Bashës dhe paranojën e Ilir Metës, se Basha mund të bëjë koalicion të madh me Ramën pas zgjedhjeve.

Po t’i shtosh dhe faktin që ai e injoroi LSI-në në ceremoninë e çeljes së fushatës elektorale, duke e marrë këtë si një mesazh lufte, atëherë kjo tablo bëhet dhe më e qartë.

E gjithë kjo tregon se sa gabim ishte mos futja e tyre në një listë të përbashkët para zgjedhjeve. Është e vërtetë që LSI tregohet e paarsyeshme në negociata të tilla, duke të kërkuar dyfishin e asaj që i takon, por në një perspektivë më të largët, PD do ishte më e fituar t’i kishte brenda të gjithë, se sa të luftojë tani për zhdukjen e LSI-së, me qëllim që të mos jetë faktor pas zgjedhjeve.

Kjo është një luftë me kosto më të lartë, por që është e vetmja luftë që PD po e bën me shumë vendosmëri.

Kjo është dhe lufta e paparashikuar e kësaj fushate elektorale, e cila është përsëritje e luftës së vitit 2017, kur LSI besohej më shumë se PD, që do ishte në pushtet, kurse tani duket se të gjithë besojnë se LSI është e pashpresë. Dhe këtu çmendja e Ilir Metës ka bërë të vetën.